Skriningu Neonatal: Mbi 4 mijë teste, 12 të lindur me sëmundje (VIDEO) NULL NULL 12.07.2026 20:38 12.07.2026 20:38 Programi nacional i skriningut për të porsalindurit, i cili filloi vitin e kaluar në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK, tashmë është shtrirë edhe në disa spitale regjionale. Për rreth një muaj, mostrat nga foshnjat e lindura në disa spitale jashtë Prishtinës po mblidhen dhe dërgohen në laboratorin e Neonatologjisë në QKUK për përpunim. Drejtori i Neonatologjisë, Luan Morina, ka bërë të ditur se deri tani programi është zbatuar në spitalet e Mitrovicës, Gjakovës dhe Pejës, ndërsa ende nuk ka filluar në Vushtrri dhe Ferizaj. Që nga nisja e këtij projekti janë kryer 4 mijë e 309 teste, prej të cilave 12 raste kanë rezultuar pozitive. Përmes këtij skriningu janë zbuluar disa sëmundje të rralla që mund të trajtohen më herët, duke rritur mundësinë për kujdes më të mirë shëndetësor për foshnjat. Sipas Morinës, për ta kompletuar plotësisht programin duhet që testimi të përfshijë edhe foshnjat që lindin në spitalet private, por për këtë ende nuk ka një afat të përcaktuar. Ai ka thënë se prindërit e kanë mirëpritur këtë metodë testimi, e cila realizohet përmes vetëm një shpimi të vogël në thembrën e foshnjës. Nga pesë pika gjaku mund të identifikohen pesë sëmundje të lindura në fazat e hershme të jetës.