Jannik Sinner triumfon në Wimbledon, mposht Zverevin në një finale spektakolare NULL NULL 12.07.2026 22:03 12.07.2026 22:03 Jannik Sinner Tenisti italian Jannik Sinner ka fituar titullin e Wimbledonit, pasi në finalen e madhe mposhti gjermanin Alexander Zverev pas një përballjeje të fortë dhe mjaft dramatike. Finalja nisi me një rivalitet të madh mes dy tenistëve, të cilët zhvilluan një duel të baraspeshuar dhe me ritëm të lartë, duke dhuruar spektakël për tifozët e pranishëm dhe ata para ekraneve, transmeton Klankosova.tv. Zverev e nisi më mirë takimin, duke fituar setin e parë me rezultat 7-6 dhe duke kaluar në epërsi, pas një “tie-break”-u të luftuar. Megjithatë, reagimi i Sinnerit ishte i menjëhershëm. Italiani fitoi setin e dytë, po ashtu me rezultat 7-6, duke rikthyer baraspeshën dhe duke e kthyer finalen në pikën e nisjes. Nga ai moment, numri një i botës mori kontrollin e plotë të ndeshjes. Sinner dominoi në setin e tretë, të cilin e fitoi me rezultat 6-3, ndërsa në setin e katërt vulosi triumfin me rezultat 6-4. Zverev tentoi të rikthehej në lojë, por nuk arriti ta ndalte ritmin e italianit, i cili e mbylli takimin pa lejuar që finalja të shkonte në setin e pestë. Ky është titulli i dytë i Jannik Sinnerit në Wimbledon, pasi trofeun e parë në turneun prestigjioz londinez e kishte fituar në vitin 2025, kur në finale kishte mposhtur spanjollin Carlos Alcaraz. Me këtë sukses, Sinner vazhdon të shkruajë historinë në tenis. Italiani tashmë numëron 29 tituj në karrierën e tij profesionale, përfshirë katër tituj Grand Slam, nëntë ATP Masters, një ATP Finals, si dhe 15 trofe nga kategoritë ATP 500 dhe ATP 250.