Plani ambicioz i Pacollit: Fitoj 20 për qind të votave dhe bëhem kryeministër NULL NULL 22.04.2016 14:05 22.04.2016 14:05 CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 100 Presidenti i AKR-së ka thënë në një intervistë për klankosova.tv se ka bërë një plan të veçantë për të kapur 20 për qind të votave, kurdo që mbahen zgjedhjet e reja. Për këtë, Behgjet Pacolli ka nisur ndryshime rrënjësore në parti, duke "e filtruar atë nga elementë të tillë të njerëzve që partinë e kanë konsideruar si trampolinë për të kërcyer në pozita që sjellin përfitime thjesht personale". Por, ish AKR-istë po thonë se kjo parti nuk do të mbërrijë kurrë në 20 për qind. Kjo për shkak se ka humbur shumë, kur u bë pjesë e bashkëqeverisjes me PDK-në. Pas një humbje dëshpëruese në zgjedhjet e vitit 2014, kur nuk e kapi pragun prej 5 për qind, Behgjet Pacolli ka marrë mësimet që i duhen në politikë. Ai ka hartuar plane serioze si të dalë më mirë, në votimet e reja. Dhe ato duket se i ka bërë me shumë kujdes. Por, qysh tashti, ish-presidenti 35 ditësh i Kosovës, nuk do të kënaqet vetëm me arritjen e pragut elektoral. Ai po pretendon shumë më tepër se kaq. Në fakt, do të arrijë katërfish më shumë. Syrin ia ka vënë 20 përqindëshit të votave që atyre do të dalin në zgjedhjet e reja, kurdo që mbahen ato. Dhe ka një arsye të fortë, jo të rastësishme, pse po e kërkon fuqishëm këtë rezultat. Mbështetja e të paktën 20 për qind të kosovarëve i duhet Pacollit, për, sic ka thënë në një intervistë për klankosova.tv, ta vë Kosovën në binarët e zhvillimit ekonomik, ofertë kjo me të cilët njihet subjekti i tij politik. Me kaq vota ai beson se do të arrijë ta marrë në duart e veta lidershipin e ekzekutivit. “Vetëm duke qenë udhëheqës të qeverisë ne mund t’ia arrijmë këtij qëllimi. Pra, e kemi parë që nëse nuk i ke frenat në dorë atëherë edhe zëri yt nuk dëgjohet”, ka deklaruar presidenti i AKR-së. Pacolli tha që synon rerforma rrënjësore në ekonomi, në mënyrë që zhvillimi të marrë hov dhe vende të reja të punës të hapen, si shtylla bazë të ringjalljes. Dhe ish-zëvendëskryeministri në qeverinë Thaçi ka ndërmend që m’u në fillim të mandatit potencial, të merret me procesin e shitblerjes së bazës të dikurshme ekonomike, pasi pretendon se shumica e fabrikave të dikurshme, ku punonin 20-30 mijë vetë, kanë mbetur bosh. “AKR në programin e vet ka paraparë tërheqjen e këtyre aseteve nga AKP dhe funksionalizimin e tyre përmes krijimit të partneriteteve me investitorë të huaj dhe vendorë”, ka thënë Pacolli. “Ne jemi, tërë kohën, në kontakt me investitorët e ndryshëm ku sipas plan programit do të krijohen mbi 1 mijë e 350 veprimtari të përbashkëta me investitorë të ndryshëm ku do të gjejnë vend pune mbi 55 mijë punëtorë.” Pos rimëkëmbjes së industrisë përpunuese e asaj shërbyese, qeveria AKR pritet të bëjë realitet edhe lulëzimin e bujqësisë. “Për këtë AKR-ja mbetet e vendosur që të krijojë tri zona Agroekonomike (një në Dukagjin, një në rrafshin e Kosovës dhe një në Anamoravë), ku do të absorbohet lënda e parë e fermerëve të vegjël, gjegjësisht pronarëve të tokave në rajonet respektive”, ka treguar Pacolli për klankosova.tv. “Këto qendra Agroekonomike shërbejnë si qendra makrogrumbulluese, transformuese dhe prodhuese sipas standardeve në fuqi. Trajtimi fillon që nga lënda e parë, konservimi, procesimi, transformimi, prodhimi dhe distribuimi.” Ai ka shtuar se “këto qendra do të pasurohen me brende ndërkombëtare, ku plasimi, shitja dhe eksporti nuk do të jenë tabu”. Ato, sipas Pacollit, do të jenë në dispozicion të të gjithë operatorëve bujqësorë, dhe si të tilla, krijojnë zinxhirin e pandërprerë të këtij procesi të rëndësishëm ekonomik”. Në këtë mënyrë besohet se do të ketë një rritje të prodhimit vendor duke zëvendësuar importin në të gjitha drejtimet, deri në 60 për qind. “Sipas studimit tonë, vetëm kjo veprimtari do të mund të inicionte rritje ekonomike deri në 8 për qind në vit”, ka shprehur bindjet e tija politikani biznesmen. Ndryshime rrënjësore në parti Megjithatë, ka edhe diçka që Pacollit i duhet të bëjë për të arritur krejt këtu. Për të kapur 20 për qind të votave në zgjedhjet e ardhshme, duhet një parti më ndryshe se AKR-ja aktuale. Prandaj, ky subjekt po riorganizohet rrënjësisht, duke larguar disa, e duke u ofruar mundësi të rinjve, të cilët, siç thuhet, “po shfaqen entuziastë për t’iu bashkuar”. “Jam duke ndërmarrë reforma të mëdha në parti. Dhe kjo periudhë e kaluar besoj se i ka shërbyer shumë AKR-së që të filtrohet nga element të tillë të njerëzve që partinë e kanë konsideruar si trampolinë për të kërcyer në pozita që sjellin përfitime thjesht personale”, ka bërë të ditur Pacolli. “Po marr mbështetje të madhe veçanërisht nga rinia me të cilët jam në kontakt çdo ditë. Të dielën rreth 100 të rijnë nga Prizreni më ftuan në një takim dhe aderuan në AKR. Pra mund të ju konfirmoj se AKR po formësohet si alternativa e vetme e ndryshimit në vend.” Ai ka thënë se gjatë gjithë kësaj kohe, kur e ka bërë planin në fjalë, por edhe më herët, kur nuk ishte pjesë e parlamentit e as qeverisë, nuk është marrë e as i ka interesuar të shikojë se cfarë po bëjnë subjektet tjera politike. Në fakt, shefi i AKR-së do të kishte qejf që aktivitetet e partive tjerë t’i kenë ndjekur qytetarët, pasi këta të fundit, sipas tij, nuk përfituan gjë nga premtimet e vitit 2014. “Ku janë vendet e punës që i kanë premtuar? Ku është liberalizimi i vizave që e premtoi zoti Thaçi që në vitin 2011? Ku është fondi i punësimit?”, ka pyetur ai. Madje, Pacolli është habitur se si elektorati i LDK-së nuk po e shfaq zhgënjimin e vetë ndërsa ka thënë se “Qeveria e dy partnerëve e udhëhequr nga LDK-ja, për fat të keq nuk ka pasur asnjë sukses në këtë periudhë, përveç në ruajtjen e sigurisë dhe në arsim”. E dështimet e qeverisë aktuale, sipas tij, janë të shumta, duke filluar nga zhvillimi ekonomik, mbingarkesa e administratës, shkatërrimi i zonave ekonomike, mungesa e investimeve kapitale, mungesa e vendeve të punës. “Trepçën e kanë fundosur. Kanë premtuar para dy vitesh ligj për Trepçën dhe kanë dështuar. Tani po vazhdojnë ta shkatërrojnë atë për shkak të mosdijes dhe mosvullnetit. E qytetarët janë ata që e paguajnë këtë qytetarët e Kosovës po e paguajnë këtë”, ka thënë Pacolli. “Po ashtu kanë dështuar totalisht në promovimin e Kosovës si shtet i pavarur, pa njohje dhe me rënie drastike të imazhit”. AKR nuk arrin kurrë 20 për qind, ia pa sherrin PDK-së Por, një ish-AKR-ist, që me mbështetjen e kësaj partie konkuroi për postin e të parit të Mitrovicës, vite më parë, tha se e sheh të pamundur që subjekti në fjalë të kap 20 për qind të votave. “AKR ka programin politik me të mirë në Kosovë dhe ai (Pacolli) është politikani me programin me zhvillimor për Kosovën. Por, fatkeqësisht, AKR tashmë është parti e shkatërruar”, deklaroi Nexhmedin Spahiu për klankosova.tv, në cilësinë e një analisti politik. “AKR-në e ka shkatërruar bashkëqeverisja me PDK-në në nivel lokal e qendror. Kësisoj me asnjë variant AKR nuk mund të marr 20 për qind të votave”. Ai është shfaqur skeptik edhe përsa i përket pretendimeve të Pacollit se partisë së këtij të fundit po i bashkohen shumë njerëz, e sidomos të rinj. “Nuk mendoj se njerëzit bashkohen në këtë parti me shpresën që kjo do të jetë në pushtet apo pjesë e pushtetit”, tha Spahiu. “Bashkëqeverisja me PDK ka bërë që të humbet besimi në këtë parti”. Ky analist është i bindur se marrja e qeverisë nga ana e Pacollit do të ishte gjëja më e mirë që do t’i ndodhte vendit. “Por, fatkeqësisht kjo është e pamundur të ndodhë”, tha Spahiu. AKR është themeluar më 2006 ndërsa që në zgjedhjet e para ku mori pjesë, më 2007, fitoi rreth 12 për qind të votave dhe 13 ulëse në parlamenin e Kosovës. Më 2010 ra në pak mbi 7 për qind dhe 8 ulëse. Ajo u bë pjesë e qeverisë më 2011 ndërsa vetë Pacolli, që ishte rrëzuar nga posti i presidentit, pas 35 ditë qëndrimi në të, u bë zëvendëskryeminsitër i parë, i ngarkuar për zhvillim ekonomik. Në zgjedhjet nacionale 2014, AKR nuk arriti të futet në parlament, pasi nuk kapi më tepër se 4.67 për qind të votave. Por një vit më parë, kjo pari fitoi dy komuna. Mimoza Kusari Lila u bë kryetare e Gjakovës, ndërsa Agim Bahtiri i Mitrovicës.