Ish-luftëtari i UÇK-së me akuza për manipulim të votave të mërgatës, flet në emisionin “Diaspora” (VIDEO) NULL NULL 20.06.2026 14:20 20.06.2026 14:20 Ish-luftëtari i UÇK-së me akuza për manipulim të votave të mërgatës, flet në emisionin "Diaspora" (VIDEO) Ish-luftëtari i UÇK-së, njëherësh ish-kandidat i Aleancës për deputet në zgjedhjet e fundit, Shpend Gjocaj, ka ngritur akuza për manipulim të votave të diasporës, duke pretenduar se procesi i votimit në ambasada dhe konsullata është keqpërdorur. I ftuar në emisionin “Diaspora” në Klan Kosova, ai deklaroi se ka paralajmëruar më herët për, siç tha, ndikimin politik brenda përfaqësive diplomatike të Kosovës. “Janë manipuluar në mënyrë të skajshme votat nëpër ambasada dhe konsullata. Unë e kam paralajmëruar më herët se në ambasada personeli është tipik nën komandën e partisë në pushtet”, u shpreh ai. Gjocaj përmendi edhe një rast personal, duke thënë se siç tha ai një ambasador ishte vënë nën presion vetëm për shkak të një fotografie të realizuar me të, të cilën e kishte publikuar në rrjetet sociale. Sipas tij, vota e mërgatës është keqpërdorur përmes mekanizmave institucionalë, duke përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësitë diplomatike, njofton Klankosova.tv. Ai pretendoi se zarfet e votimit janë dërguar pa masat e nevojshme të sigurisë, gjë që, sipas tij, ka krijuar hapësirë për manipulime. “Paramendojeni, unë kam 25 vota të familjarëve të mi në ambasadën në New York, por më kanë dalë vetëm pesë vota. Kam me qindra vota në Evropë, por nuk ka ardhur as një e treta e tyre”, deklaroi ai. Megjithatë, ish-kandidati bëri thirrje që të mos krijohen përçarje mes qytetarëve në Kosovë dhe mërgatës, duke theksuar se diaspora nuk duhet fajësuar për zhvillimet politike.