Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Boll patëm zgjedhje

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 16.06.2026 09:10

Jemi të parët në rajon me mënyrën se si i organizojmë zgjedhjet për pushtetin qendror dhe lokal. Nuk e luan topi këtë vlerësim.

Jemi të parët në rajon me faktin se si rezultatet e këtyre zgjedhjeve pranohen prej të gjithë pjesëmarrësve në votimet lokale dhe nacionale. Nuk e luan topi as këtë qëndrim.

Por tash e sa kohë, apo, prej pranverës së vitit të kaluar, kemi mbërri (me meritë gjithsesi), që të bëhemi të parët në rajon me aftësinë për t’i zhbërë apo neutralizuar rezultatet e zgjedhjeve dhe për të dështuar që t’i krijojmë të plota institucionet e pushtetit qendror.

Teksa, për më keq, nuk ka pasur realisht ‘krizë numrash’ për ta përmbyllur me sukses ndërmarrjen e bërjes së Kosovës me Kuvend, me Qeveri dhe me President.

Ka pasur, objektivisht, ‘krizë besimi’ të ndërsjellë midis politikanëve dhe partive parlamentare se si duhet qasur kësaj ndërmarrjeje të pashmangshme kur Kosova bëhet me pushtet, në reflektim të përqindjes së votave dhe mandateve parlamentare.

Më së shumti ka pasur ‘krizë të logjikës politike’, e cila i mbyllte të gjitha udhët e rëndomta që ishin ecur a shfrytëzuar shumë herë në të kaluarën për të mbërri në cakun e dëshiruar.

Të gjitha këto kriza sollën së fundit, në zgjedhjet e 7 qershorit, te ajo kriza më e rëndë dhe shumë problematike në çdo demokraci parlamentare, kur qytetarët nuk e shohin të arsyeshme të votojnë fare, sepse nuk besojnë që vota e tyre do të merret seriozisht në konsideratë nga politikanët dhe partitë, apo që ajo do ta bëjë ndryshimin, dhe atë jo ndryshimin se kush tash e tutje do të jetë në krye të pushtetit qendror, por ndryshimin që merr formën e krijimit të pushtetit qendror.

Pse të votohet, tek e fundit, nëse politikanët ia kthejnë votën mbrapsht qytetarëve, nëse e zhvlerësojnë atë (votë), dhe e detyrojnë atë t’ia mësyjë edhe një herë Qendrave të votimit, me shpresën që kësaj here, me metoda të njëjta do të sjellin një rezultat ndryshe, teksa dihet se si Albert Einstein e ka definuar qëmoti këtë veprim. Apo, në pajtim me këtë porosi të moçme të Einsteinit, siç ka thënë ‘gjeniu ynë popullor’: tri herë e shkurtova, shkurt se shkurt më doli.

Nuk mund të zgjatet gjë duke e shkurtuar.

Teksa pra ende po numërohen votat e zgjedhjeve të 7 qershorit (me shpejtësi të paparë, duhet shtuar këtu, sepse kësaj pune ‘ia kemi marrë dorën’, si thuhet), nuk ka numërim apo rezultat i cili do ta shmangë atë epilogun real i cili na u bë i ditur para mesnatës së 7 qershorit, që para se të gjithash, na dëftoi qëndrimin që më në Kosovë nuk duhet të ketë zgjedhje të reja parlamentare, për dhjetëra arsye, ku këtu ia vlen të përmenden vetëm disa prej tyre.

Në radhë të parë, sepse qytetari votues është i lodhur me daljen e shpeshtë në zgjedhje.

Së dyti, sepse si pas dy palë zgjedhjeve të kaluara, edhe kësaj here, numrat e deputetëve ofrojnë mundësi për ta bërë pushtetin qendror në të gjitha dimensionet e tij.

Së treti, sepse siç po shihet tani në mënyrën më të qartë dhe më brutale të mundshme, përsëritja e shpeshtë e zgjedhjeve, nuk po sjell farë ndryshimi substancial dhe udhë-tregues për renditjen e partive në Kosovë dhe për rezultatin që ato po e shënojnë.

Diçka e tillë është edhe e kuptueshme, sepse ne që nga dimri i vitit të kaluar, kur u mbajtën zgjedhjet e para të rregullta në historinë e demokracisë parlamentare në Kosovë, nuk kemi më me çka të matemi, në atë trajtimin e rregullt demokratik në mes të pushtetit dhe opozitës. Që prej atëherë ne po matemi se kush dhe pse është përgjegjës që po dështojmë në krijimin e pushtetit qendror.

Sërish nëse i mbajmë zgjedhjet në vjeshtën apo dimrin e këtij viti, prapë do të mbërrimë te pak a shumë i njëjti rezultat i zgjedhjeve.

Boll pra patëm zgjedhje. Rendi është me u bë me një pushtet

lajme të ngjashme