Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Përfundon verifikimi i votave me postë, mbi 82 mijë pako kalojnë për numërim

NULL NULL
14.06.2026 18:48

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotime të ardhura përmes postës nga diaspora, duke konfirmuar se shumica dërrmuese e tyre kanë kaluar me sukses fazën e verifikimit dhe do t’i nënshtrohen numërimit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se gjatë periudhës 9–14 qershor janë shqyrtuar gjithsej 85,790 pako të supozuara me fletëvotime.

“Nga fillimi i këtij procesi, më 9 qershor në orën 16:00, dhe deri në përfundim të tij, të dielën më 14 qershor 2026 në orën 17:00, në procesin e vlerësimit janë përfshirë 85,790 pako, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërkaq janë refuzuar 2,981”, ka deklaruar Elezi.

Sipas tij, shkaku kryesor i refuzimit të pakove lidhet me mungesën e dokumentacionit të nevojshëm që dëshmon regjistrimin e votuesit.

“Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,552 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ. Ky dokument është pjesë e domosdoshme e procedurës së votimit përmes postës dhe mungesa e tij e bën të pamundur aprovimin e pakos”, ka theksuar ai për Klankosova.tv.

Elezi ka sqaruar se gjatë procesit të verifikimit janë hasur edhe parregullsi të tjera, të cilat kanë ndikuar në refuzimin e një numri pakosh.

“Janë evidentuar 322 raste kur në një pako janë përfshirë më shumë se një fletëvotim ose dokumente të më shumë se një personi. Gjithashtu, kemi pasur 23 raste kur votuesit e kanë dërguar pakon nga një shtet tjetër nga ai ku ishin regjistruar, 32 raste kur në zarf është gjetur vetëm dëftesa e regjistrimit pa fletëvotim, pesë raste pa vulë apo pullë postare dhe një rast me fletëvotim të shtypur”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, gjatë procesit janë regjistruar edhe 46 zarfe të dërguara gabimisht, të cilat po ashtu nuk janë pranuar në procedurat e mëtejshme.

Ndërkohë, pas përfundimit të fazës së verifikimit, KQZ-ja po vazhdon me numërimin e votave të diasporës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Deri më tani, të dielën më 14 qershor 2026 në orën 18:00, janë numëruar 60 kuti votimi, në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së”, ka deklaruar Elezi.

Procesi i numërimit pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim deri në përpunimin e të gjitha votave të aprovuara nga diaspora.

lajme të ngjashme