Vjosa Osmani ‘dridh’ sheshin në Prishtinë: Projektuan fundin tonë, por LDK po kthehet më e fortë se kurrë NULL NULL 06.06.2026 00:16 06.06.2026 00:16 Presidentja e 6-të e Kosovës dhe kandidatja e LDK-së për mandatin e dytë të presidentes, Vjosa Osmani, ka lëshuar akuza të rënda ndaj modelit aktual qeverisës gjatë fjalimit përmbyllës të fushatës në Sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë. Përpara mijëra qytetarëve, Osmani e ka cilësuar politikën e tanishme si një sistem të ndërtuar mbi mure, përçarje dhe tendenca të rrezikshme për kontroll të plotë ndaj shtetit. “Kemi parë një politikë që nuk ka vizion tjetër pos një kontrolli të plotë. Kemi parë se çfarë ndodh kur dikush fillon të mendojë se shteti është shumë më i vogël sesa ambiciet për të kontrolluar gjithçka e çdokënd. Kjo politikë e frikës, e përçarjes dhe e arrogancës duhet të mbetet përgjithmonë pas nesh”, deklaroi Osmani. Tutje, në fjalën e saj, kandidatja për mandatin e dytë presidencial bëri thirrje për mobilizim masiv për të ndalur cenimin e rendit demokratik. Ajo rikujtoi se Republika e Kosovës nuk u ndërtua për t’u kthyer në pronë politike të kujtdo. “Demokracia nuk është sundimi i një njeriu, demokracia është kufizimi i pushtetit të secilit. Demokracia është balanca. Demokracia është llogaridhënia. Demokracia është garancia se askush nuk bëhet më i madh se shteti… Beteja jonë nuk është thjesht politike, beteja jonë është për ta mbrojtur demokracinë nga mendësia që kërkon pushtet pa kufij”, u shpreh Osmani. Bartësija e listës së LDK-së, Vjosa Osmani, tutje pati mesazhe direkte edhe për rivalët politikë që projektuan fundin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke bërë të qartë se kjo strukturë nuk ka rënë, por po kthehet më e fortë për të udhëhequr Republikën. “Ka nga ata që menduan se na rrëzuan përgjithmonë. Ka nga ata që menduan se kjo lëvizje e ndërtuar nga populli u lodh, se kjo frymë u shua, se kjo shtëpi nuk do të ngrihej më. Por ata nuk e kuptuan një gjë: Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është ngritur mbi pushtetin por mbi besimin e njerëzve, prandaj nuk shuhet asnjëherë”, tha ajo, duke shtuar se sa herë që i kanë nënvlerësuar, kanë triumfuar dhe “jemi ringritur më të fortë”, potencoi nddër tjerash Osmani.