Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Self e do Kosovën në NATO, Sekretari Rubio: “Zgjerimi tani nuk është në agjendë” (VIDEO)

NULL NULL
03.06.2026 19:41

Kongresisti Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën, gjatë një seance dëgjimore të Senatit, e ka informuar Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, mbi gjetjet e tij gjatë vizitës që bëri rishtazi në Ballkan.

Në adresimin e tij, Self tha se situata e sigurisë në rajon mbetet e brishtë, ku theksoi mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe nevojën për një angazhim të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara në rajon.

Duke iu referuar vizitave të tij në Kosovë, Luginën e Preshevës, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, Self e ka përshkruar rajonin si të brishtë.

“Rajoni është jashtëzakonisht i brishtë”, tha Keith Self.

Ai ka theksuar se integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike mbetet vendimtar për stabilitetin afatgjatë të rajonit.

Në të njëjtën kohë, Self ka vlerësuar emërimet e fundit të ambasadorëve amerikanë në vendet e rajonit, duke nënvizuar rëndësinë e emërimit të një ambasadori të ShBA-së në Kosovë dhe pritshmërinë e tij për mbështetjen e administratës amerikane në këtë drejtim, transmeton Klankosova.tv.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, nga ana e tij, ka rikonfirmuar angazhimin e ShBA-së në rajon, por ka thënë se zgjerimi i NATO-s për momentin nuk është në agjendë.

“Ne mbesim të angazhuar në këtë temë, dhe këtë e kemi bërë edhe privatisht, dhe gjëja e fundit që duam të shohim është ndonjë konflikt, ndarje dhe gjëra të kësaj natyre që do të krijonin konflikte tjera”.

“Nuk mund të flas për zgjerimin e NATO-s, dua të jem i sinqertë me ju, dhe bazuar në takimet e mia të fundit me ministrat e jashtëm, ajo që kam parë, aktualisht nëse flasim në terma të përgjithshëm, NATO-ja është e fokusuar në disa gjëra tjera që u ngritën sot këtu. Dhe zgjerimi, veçanërisht në rastin e Kosovës, por edhe tema tjera, nuk janë në gjëja kryesore e agjendës së këtyre vendeve. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë kurrë”, deklaroi Rubio.

Keith Self vazhdon të konsiderohet një nga zërat më të fortë në Kongres për forcimin e marrëdhënieve mes ShBA-së, Kosovës dhe komuniteteve shqiptare në diasporë.

Organizata “Albanians for America” ka vlerësuar bashkëpunimin me të, duke e cilësuar si një partner të rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.

lajme të ngjashme