“Nuk na kanë leju me e shkru kodin në testim, shumë lehtë është manipulu testi…” (VIDEO) NULL NULL nga Florentina Hoti 03.06.2026 20:22 nga Florentina Hoti 03.06.2026 20:22 Shkollimin e përfundoi e për vite me radhë po merrte pjesë në konkurse punësimi. Mirëpo krejt çka mori nga ato konkurse e testime, qe zhgënjimi. Kjo për faktin se sipas 32-vjeçarit nga Gjakova, shumica e konkurseve në qytetin e tyre kurdisen për personat që gjejnë ndonjë lidhje intervenimi. Në shkurt të këtij viti, K.J pa që ishte hapur një konkurs në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë. Në atë konkurs kërkohej Zyrtar Ligjor dhe Zyrtar i Lartë Ligjor, pozita të cilat i lidheshin me shkollimin e tij andaj edhe aplikoi. Edhe një herë, mbarëvajtja e atij konkursi zhgënjeu shumë 32-vjeçarin e shumë kolegë të tij. Se diçka po “gatuhej” për atë konkurs, K.J thotë se e nuhatën që në ditën e testimit me shkrim. Sipas tij, dyshimet filluan kur për fillimin e procesit të testimit iu desh që të prisnin disa orë. Kjo pritje, sipas tij, eliminoi automatikisht disa kandidatë, të cilët u larguan sepse nuk patën luksin e kohës që të presin. Pas asaj vonese, zyrtarët e komisionit erdhën e testimi filloi. Ajo çka ua vërtetoi të gjitha dyshimet se diçka nuk po shkon si duhet me këtë konkurs, qe momenti kur kandidatëve iu kërkua që të mos e shënojnë kodin në fletën e tyre testuese. Hapësirë për manovrime në këtë konkurs, 32-vjeçari tha se ofroi edhe mënyra e testimit, e cila qe me alternativa. Për të qe e çuditshme kjo mënyrë testimi, pasi që siç tha ai për KIKS-in, nuk mund të vlerësohet kapaciteti i një juristi pa ese e analizë. E meqenëse mënyra e testimit qe me alternativa e madje nuk i lejuan që të shënojnë kodin mbi testim, i shqetësuar K.J deklaron se nuk mbetet asnjë hapësirë që ai e të tjerët të identifikojnë se cili ka qenë testi i tij. Krejt çka iu kërkua në fund personave që morën pjesë në testim atë ditë, sipas tij, qe që të nënshkruheshin në një fletë të bardhë. 32-vjeçari thotë se me krejt mënyrën se si është zhvilluar ky konkurs, është bërë shkelje e ligjit për zyrtarët publikë. Lidhur me këto akuza, Kiks Kosova ka marrë edhe versionin e ShSKUK-së dhe kryesuesit të komisionit të këtij konkursi. Në një përgjigje me shkrim, nga drejtoria e ShSKUK-së hodhën poshtë të gjitha akuzat për kurdisje të konkursit. Ata thonë se shkrimi i kodeve ka ndodhur në fund të testimit, sipas tyre, me kërkesë të pjesëmarrësve. Nga Drejtoria pranojnë që atë ditë ka pasur vonesë për fillimin e testimit mirëpo vazhdimi i procesit thonë se është bërë me pajtueshmëri të pjesëmarrësve. Kronikat e plota i gjeni në videot më poshtë: