“Jemi nën presion të kohës”, Emini: Shpresoj që çështja e presidentit të zgjidhet shpejt (VIDEO) NULL NULL 15.02.2026 18:01 15.02.2026 18:01 Kanë mbetur tashmë më pak se tri javë nga afati ligjor për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Në lidhje me këtë çështje ka folur politologia Donika Emini në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, duke theksuar se vitin e fundit proceset politike kanë qenë të vështira dhe të ngadalta, por e njëjta shprehet se çështja e presidentit duhet të zgjidhet aq shpejt sa proceset e formimit të institucioneve të vendit. “Po shohim që shumica e proceseve që vitin e kaluar kanë qenë të dukshme si të tejet të vështira, këtë herë po kalojnë me një shpejtësi të hatashme, si zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, komisionet parlamentare… marrëveshjet ndërkombëtare, për të cilat kemi diskutuar shumë vitin e kaluar. Shpresoj që çështja e presidentit të shkojë në mënyrë kaq të shpejtë, meqë jemi nën presion kohe, sepse nuk i konvenon askujt, as partive politike, as Kosovës, të hyjë në një proces zgjedhor, duke mos pasur një qeveri efektive për më shumë se një vit, dhe kjo do të ishte një problem shumë i madh për funksionimin e brendshëm të shtetit”, tha ajo. Emini tha po ashtu se procesi i zgjedhjes së presidentit dallon nga ai i vitit 2021, pasi këtë herë nuk dihet publikisht për ndonjë marrëveshje politike. “Ka paqartësi rreth procesit, dhe situata është ndryshe nga viti 2021, sepse atëherë kishim zgjedhur nga dy kandidatë që garuan së bashku dhe kishin një marrëveshje të qartë, dhe e kishim të qartë se cili do të ishte kandidati për kryeministër dhe cili për presidente. Këtë radhe nuk ekziston kjo marrëveshje, marrëveshjet politike janë të kufizuara në kohë, dhe nuk është e qartë nëse Kurti dhe Osmani kanë një marrëveshje të tillë, të paktën jo publikisht, dhe kjo e bën procesin të paqartë”, deklaroi Emini. /Klankosova.tv