14 OJQ, kundër vendimit të sotëm të Qeverisë: U shkel Kushtetuta e aktgjykimet NULL NULL 31.10.2025 13:15 31.10.2025 13:15 Katërmbëdhjetë OJQ, përmes një reagimi të përbashkët, kanë thënë se veprimi i sotëm i Qeverisë në detyrë gjatë procedimit dhe miratimit të projektligjit të buxhetit bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në Ligjin e Qeverisë dhe vetë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo për faktin se, sipas këtij reagimi, sot votuan personat që janë të certifikuar si deputetë në Kuvendin e Kosovës. Në reagimin e këtyre organizatave, thuhet se Projektligji për Buxhetin e vitit 2026 mund të propozohej nga Qeveria në detyrë, në përputhje me Ligjin për Qeverinë. Megjithatë, këto OJQ thonë se siç kanë theksuar edhe në Letrën e dërguar presidentes Osmani, “ky proces do duhej të zhvillohej në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme”. “Të njëjtat përcaktojnë qartë se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht dy funksione, si anëtar i Qeverisë dhe si deputet. Prandaj, që ky proces të jetë i ligjshëm, ka qenë e domosdoshme që nënshkruesit e këtij projektligji të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin e lartcekur, dhe propozuesit të jenë zv.kryeministri dhe ministra e zv.ministra përkatës që nuk kanë fituar njëkohësisht pozitën e deputetit në këtë legjislaturë”. “Çdo veprim që e anashkalon këtë parim cenon vlefshmërinë e vetë ligjit për buxhetin, situatë që ndodhi sot”, u tha në reagimin e tyre. OJQ-të thotë se çdo tentativë si kjo e sotmja për të anashkaluar ligjin e Qeverisë, aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës “dëmton jo vetëm procesin e miratimit të buxhetit por edhe vet parimin e sundimit të ligjit në Kosovë”. Tutje, në reagim, OJQ-të kanë kritika edhe në përmbajtjen e projektligjit dhe në pakot e propozuara. Thonë se vërehet “se janë përgatitur pa një qasje gjithëpërfshirëse institucionale, duke e thelluar edhe më tutje krizën politike në vend dhe përfundimisht mos miratimin e tij përmes konsensusit të përbashkët mes gjitha partive politike”. “Një qasje e tillë cenon rëndë parimet e demokracisë së këtij vendi sepse po bëhet në periudhën e zgjedhjeve komunale dhe paralajmërimit edhe të zgjedhjeve të përgjithshme”, thuhet në reagimin e 14 OJQ-ve vendore. Instituti GAP Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK) Community Development Fund (CDF) SHL-Kosova YMCA Kosova TOKA Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) Balkan Green Foundation (BGF) Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) Community Building Mitrovica (CBM) Advocacy Training and Resource Center (ATRC)