Reagon Isaku, thotë se Newcastle theu premtimet NULL NULL 19.08.2025 21:55 19.08.2025 21:55 Sulmuesi Alexander Isak nuk ka qenë i pranishëm për të festuar përzgjedhjen e tij në formacionin e vitit në Premier Ligë, duke akuzuar klubin e tij, Newcastle United, që ka shkelur premtimet. Ai ka një kohë që po kërkon transferimin te Liverpool-i, por Zebrat po duan ta mbajnë në “St. James Park”. “Jam krenar që jam vlerësuar nga kolegët e mi me një vend në formacionin e sezonit në Premier League nga PFA për sezonin 2024/25”, ka shkruar Isaku në Instagram. “Së pari, dua të falënderoj shokët e skuadrës dhe të gjithë te Newcastle United që më kanë mbështetur gjatë gjithë kohës”. “Nuk jam në ceremoninë e ndarjes së çmimeve sonte. Me gjithçka që po ndodh, nuk dukej e drejtë të isha aty”. Suedezi tha se klubi ka shtyrë përpara versionin e vet ndonëse nuk është përmendur fjala që i është dhënë atij. “Kam qëndruar i heshtur për një kohë të gjatë, ndërkohë që të tjerët kanë folur. Kjo heshtje u ka lejuar atyre të shtyjnë versionin e tyre të ngjarjeve, edhe pse e dinë mirë që nuk pasqyron atë që u tha dhe u ra dakord pas dyerve të mbyllura”. “E vërteta është se janë bërë premtime dhe klubi e ka ditur pozicionin tim prej kohësh. Të veprosh tani sikur këto çështje po dalin për herë të parë është mashtrim”. “Kur premtimet thyhen dhe besimi humbet, marrëdhënia nuk mund të vazhdojë. Kjo është situata për mua tani, dhe kjo është arsyeja pse ndryshimi është në interesin më të mirë të të gjithëve, jo vetëm timin.”