Gruda: E votojmë për kryetar kuvendi këdo që s’ka qenë ministër NULL NULL 08.08.2025 23:47 08.08.2025 23:47 Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se deputetët e kësaj partie kanë votë për kandidatin e VV-së për kryetar kuvendi nëse ai apo ajo s’ka qenë ministër apo ministre e Qeverisë Kurti. Gruda tha se ky ka qenë parimi i PDK-së që nga fillimi dhe se sipas tij, do t’i qëndrojnë këtij parimi deri në fund. “Ne votojmë kandidatë që nuk kanë qenë ministra në Qeverinë Kurti. Ky ka qenë parimi ynë dhe kësaj i qëndrojmë”. “I takon VV-së që ta propozojë emrin, ne e kemi njohur këtë të drejtë nga fillimi dhe tani jemi në pozicion ku ata duhet ta ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë që të mos bllokohet formimi i kuvendit”, tha Gruda në Edicionin Special në Klan Kosova. Tutje, ai tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë obligative dhe se sipas tij, në ditën që del aktgjykimi i plotë për çështjen e konstituimit të kuvendit, pas 48 orëve maksimalisht duhet të thirret seanca e re. “Ne do të paraqitemi në kuvend dhe kuvendi duhet ta zbatojë me përpikëri aktgjykimin. VV-ja dhe Avni Dehari nuk e ka në vullnetin e saj ta zbatojë aktgjykimin, por ata janë të detyruar që ta zbatojnë”, tha ai.