Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Seksi në det e pishina dhe orari i përshtatshëm gjatë verës, seksologu kosovar i thotë të gjitha

NULL NULL
16.06.2025 20:18

Stina e verës nuk sjell vetëm ditë të nxehta dhe pushime, por edhe ndryshime të ndjeshme në mënyrën se si ndjehemi, si sillemi dhe si përjetojmë afërsinë me të tjerët. Në mesin e këtyre ndryshimeve shpesh ndodhet edhe një temë për të cilën flitet më pak, por që është po aq e rëndësishme – dhe fjala është për jetën seksuale.

Gjatë muajve të verës, shumë njerëz vërejnë ndryshime në dëshirën seksuale. Faktorë si nxehtësia e tepërt, lodhja, djersitja, mungesa e gjumit apo ndryshimet hormonale mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën si trupi dhe mendja reagojnë ndaj intimitetit.

Por cilët janë faktorët që e nxisin ose e zbehin intimitetin gjatë kësaj periudhe? Si ndikon klima në performancën seksuale dhe a ka mënyra për ta ruajtur ekuilibrin në marrëdhënie?

Për të hedhur dritë mbi këto çështje, Klankosova.tv ka zhvilluar një intervistë me seksologun e njohur kosovar, Hajrullah Fejza, i cili ndan njohuritë e tij mbi ndikimet biologjike, psikologjike dhe shoqërore të verës në jetën seksuale të individëve dhe çifteve.

Sipas Fejzës, vera mund të ketë ndikim mjaft pozitiv në jetën seksuale. Atmosfera më e hapur, kujdesi për pamjen, koha e lirë dhe vetë klima, ndikojnë në mënyrën si ndjejmë dhe si shprehim afeksionin ndaj partnerit.

Çfarë ndryshimesh sjell vera në jetën seksuale të një individi apo çifti?

Zakonisht vera mund të sjellë ndryshime të dukshme, shpesh pozitive, në jetën seksuale të një individi apo çifti, për shkak të ndikimeve biologjike dhe psikologjike. Veshjet e lehta dhe kujdesi për pamjen fizike gjatë verës ndikojnë në vetëbesim dhe ndjesinë e të qenit tërheqës. Nxehtësia dhe atmosfera e çliruar mund të nxisin më shumë kontakt fizik dhe përkëdhelje. Ditët janë më të gjata dhe kjo na ndihmon të kemi më shumë plane në përditshmërinë tonë. Na jep kohë për të bërë gjithçka dhe duam të përfitojmë nga çdo minutë e saj. Në verë ka më shumë dritë dhe kjo ndikon në ndjenjat tona; jemi më të lumtur, më shumë angazhohemi në biseda si dhe ka shumë gjasa që të takohemi përsëri me një mik ose ish-të dashur të caktuar. Gjatë verës njerëzit marrin ngjyrë të bukur dhe tregojmë më shumë lëkurë sesa në stinët e tjera.

A është e vërtetë që gjatë verës rritet dëshira seksuale? Cilat janë arsyet psikologjike dhe biologjike pas kësaj?

Po, gjate stinës se verës rritet dëshira seksuale si rezultat i ndikimeve biologjike dhe psikologjike. Kjo, sepse ekspozimi ndaj diellit rrit nivelet e vitaminës D, testosteronit, oxitocinës dhe shumë endorfinë, duke përmirësuar disponimin dhe kjo ndikon pozitivisht në dëshirën seksuale. Ndjenja e lirisë në verë ndonjëherë çon në lidhje të përkohshme apo romanca verore, që kanë ndikim emocional dhe seksual. Stina e verës krijon klimë biologjike, emocionale dhe sociale që zakonisht favorizon jetën seksuale më aktive, por kërkon edhe kujdes më të madh në aspektin e mbrojtjes dhe mirëqenies.

Cilët janë faktorët kryesorë që ndikojnë në seksualitetin e njerëzve gjatë kësaj stine?

Ne stinën e verës ka më shumë kohë për intimitet. Pushimet verore dhe mundësia për të qenë më shumë bashkë u japin çifteve më mundësi për afërsi emocionale dhe seksuale. Udhëtimet romantike pastaj në ambientet te reja, larg rutinës e nxisin spontanitetin dhe intimitetin. Shumë çifte provojnë ambiente ose përvoja të reja seksuale gjatë verës, p.sh. në natyrë, në udhëtime, në vendpushime, gjë që e rrit emocionin dhe lidhjen. Koha dhe ambienti më relaksues e nxisin imagjinatën dhe gatishmërinë për të eksperimentuar në mënyrë të sigurt. Për individët, aktivitetet në natyrë, festivalet dhe udhëtimet rrisin gjasat për njohje të reja dhe përjetime erotike. Ndjenja e lirisë në verë ndonjëherë çon në lidhje të përkohshme apo romanca verore, që kanë ndikim emocional dhe seksual.

Si ndikon nxehtësia ekstreme në performancën seksuale? A mund të sjellë lodhje apo rënie të energjisë?

Nxehtësia ekstreme mund të ndikojë ndjeshëm në performancën seksuale dhe mund të sjellë lodhje, rënie të energjisë, dhe ulje të dëshirës seksuale. Kjo mund të jetë si pasojë e djersitjes së shtuar, që çon në humbje të lëngjeve dhe elektroliteve. Humbja e lëngjeve ndikon negativisht në qarkullimin e gjakut, duke e bërë më të vështirë ngritjen apo mbajtjen e ereksionit te meshkujt. Lodhja fizike dhe ndjenja e plogështisë zvogëlojnë gatishmërinë për aktivitet seksual në të dy sekset. Në këto raste organizmi përqendrohet në ruajtjen e temperaturës dhe mbijetesën më shumë se në aktivitetet e kënaqësisë si seksi. Nxehtësia e natës ndikon në cilësinë e gjumit, duke shkaktuar lodhje kronike dhe nervozizëm, që ndikojnë drejtpërdrejt në interesin dhe kapacitetin për marrëdhënie intime. Djersitja, fërkimi i lëkurës, dhe ndjeshmëria e shtuar ndaj aromave trupore mund të ulë tërheqjen fizike dhe të bëjë kontaktin seksual më pak tërheqës.

Ka ndonjë orar më të përshtatshëm për marrëdhënie seksuale në ditët me temperatura të larta?

Në këto dite të nxehta aktiviteti seksual duhet të përshtatet kushteve dhe rrethanave. Preferohet në mëngjes apo mbrëmje kur është më freskët. Përdorimi i ajrit të kondicionuar ose ventilatorëve si dhe hidratimi i mirë me shumë lëngje dhe dieta të lehta. Një dush i freskët para ose pas aktit seksual, preferohet për t’i dhënë trupit ndjesinë e freskisë dhe relaksit.

A ka ndonjë lidhje midis stilit të ushqimit veror dhe energjisë seksuale?

Mënyra e ushqimit veror ka një lidhje të drejtpërdrejtë me energjinë seksuale, pasi ushqimet që konsumohen gjatë verës ndikojnë në nivelin e energjisë, qarkullimin e gjakut, dëshirën seksuale, dhe performancën fizike. Gjatë verës ne konsumojmë më shumë fruta të freskëta si: shalqi, manaferra, rrush, pjeshkë dhe perime të gjelbra, që janë të pasura me antioksidantë, vitamina dhe ujë. Këto ndihmojnë në detoksifikimin e trupit dhe rritjen e energjisë fizike dhe mendore – faktorë që ndikojnë pozitivisht në jetën seksuale. Konsumimi i shalqirit, trangullit, selinos, dhe ujit ndihmon në ruajtjen e hidratimit, i cili është thelbësor për funksionin seksual, sidomos për qarkullimin e gjakut dhe lubrifikimin natyral. Alkooli i tepërt edhe pse i zakonshëm në verë, në sasi të mëdha ul ndjesinë, dëmton ereksionin dhe zvogëlon ndjeshmërinë seksuale. Sheqernat e tepërta si akulloret apo pijet e gazuara me shumë sheqer mund të çojnë në rritje të përkohshme të energjisë, por pason me rënie të menjëhershme që ndikon në performancë. Flirti si sporti numër një është më i theksuar gjatë verës që na bënë të kujdesemi për veten, duke ushtruar më shumë dhe duke ngrënë mirë.

A është seksi në pishinë apo det i rrezikshëm për shëndetin?  

Po, seksi në pishinë apo det mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin, megjithëse shpesh perceptohet si përvojë romantike apo emocionuese. Uji i klorinuar në pishina mund të shkaktojë irritim të mukozave intime dhe të prishë florën natyrale bakteriale, duke rritur rrezikun për infeksione vaginale, urinare apo te lëkurës. Në det, uji i kripur dhe rëra mund të shkaktojnë po ashtu dëmtime të lehta në lëkurë dhe depërtim të mikrobeve. Për më tepër, uji nuk është lubrifikues natyral, përkundrazi, ai shpesh e than lubrifikimin natyror të trupit, gjë që mund të shkaktojë fërkime të dhimbshme. Gjithashtu, përdorimi i prezervativit në ujë mund të jetë më pak efektiv për shkak të rrëshqitjes ose dëmtimit. Prandaj, edhe pse teknikisht i mundur, seksi në pishinë apo det nuk është i rekomandueshëm nga këndvështrimi i shëndetit seksual.

Në fund, seksologu Fejza nënvizon se vera është një periudhë kur shumë të rinj bëhen seksualisht aktivë për herë të parë, dhe pikërisht për këtë arsye, roli i prindërve bëhet edhe më i rëndësishëm.

Ai thekson se është jetike që prindërit të flasin hapur me fëmijët e tyre për çështjet që lidhen me seksualitetin, jo për t’i frikësuar, por për t’i informuar dhe mbrojtur.

“Të rinjtë duhet të dinë se përdorimi i prezervativëve nuk ka të bëjë vetëm me shmangien e shtatzënive të padëshiruara, por edhe me mbrojtjen ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme,” thotë Fejza, duke apeluar për edukim seksual të hershëm, të bazuar në mirëbesim dhe komunikim të hapur brenda familjes./Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.