Cakolli: Anëtarët e Qeverisë që fituan mandat deputeti, nesër më së largu duhet të dorëhiqen NULL NULL 26.03.2025 16:25 26.03.2025 16:25 Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka reaguar pasi Supremja refuzoi si të pathemelta të gjitha ankesat ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Cakolli tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet që t’i certifikojë rezultatet më së largu deri nesër. Ai theksoi se anëtarët e Qeverisë, të cilët kanë fituar mandat deputeti, duhet që deri sot ose më së largu nesër “nëse KQZ-ja nuk mban mbledhje sot” të dorëzojnë dorëheqjet e tyre. I njëjti shtoi se afati 30 ditor për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit, e cila thirret nga Presidentja e vendit, fillon të rrjedhë që nga momenti i vendimit për certifikimin e rezultateve, që sipas tij mund të jetë nesër. “Gjykata Supreme ka refuzuar si të pathemelta të gjitha ankesat ndaj vendimeve të PZAP-së. Kjo i hap rrugë certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja, më së largu deri nesër. Kjo nënkupton që anëtarët e Qeverisë, të cilët kanë fituar mandat deputeti, duhet që deri sot (ose më së largu nesër – nëse KQZ-ja nuk mban mbledhje sot) të dorëzojnë dorëheqjet e tyre. Ndërsa afati 30-ditor për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit – e cila thirret nga Presidentja e vendit – fillon të rrjedhë që nga momenti i vendimit për certifikimin e rezultateve, që me gjasë do të jetë nesër”, tha Cakolli.