Dy plagosje në orët e mbrëmjes në Prishtinë NULL NULL 27.08.2024 23:46 27.08.2024 23:46 Plagosje në Prishtinë, pamje nga vendi i ngjarjes. Foto | Klankosova.tv Dy persona kanë mbetur të lënduar nga armët e zjarrit në orët e mbrëmjes në Prishtinë. Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti i parë është regjistruar rreth orës 19:30. “Sot rreth orës 19:30, policia ka marrë informatën se me armë zjarri është plagosur një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës. Zyrtarja për informim nuk dha më shumë detaje për vendin e ngjarjes apo nëse është arrestuar dikush. U bë e ditur se aktualisht hetuesit policorë të stacionit Veriu në Prishtinë, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast i cili është cilësuar si “vrasje në tentativë”. Ndërkaq, rreth orës 22:40, raportohet të ketë pasur gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Maliq Pashë Gjinovci” në Prishtinë. Edhe këtë rast e konfirmoi për Klankosova.tv, Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës. Për këtë rast, deri më tani ka një person të dyshuar që është arrestuar. Zëdhënësja Ahmeti tha se menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. “Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga arma e zjarrit është lënduar një person”, ka thënë Ahmeti. Hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore, dhe deri tani është arrestuar një person i dyshuar. /Klankosova.tv