Përfundon aksioni i policisë në veri, mbyllen nëntë objekte të Postës së Serbisë NULL NULL nga Ermir Istrefi 05.08.2024 17:17 nga Ermir Istrefi 05.08.2024 17:17 Mbyllen nëntë objekte të Postës së Serbisë, në veri të vendit. Ka përfunduar operacioni i Policisë së Kosovës, në veri të vendit, ku u kontrolluan disa objekte të Postës së Serbisë. Nëntë nga to janë mbyllur, për shkak se ishin të palicensuara dhe të paregjistruara. Tri nga objektet që iu vu dryni janë në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan një në Zubin Potok. Kështu tha zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një përgjigje për Klan Kosovën. “Pas konsultimit me prokurorin nëntë nga to janë mbyllur. Zhvillimi biznesor ekonomik duhet të jetë i regjistruar, dhe të ketë licencë. Fjala është për posta të cilat kanë funksionuar në mënyrë ilegale deri më tani”, u shpreh ai. “Nuk ka pasur rezistencë. Dy persona të dehur në Leshak gjatë mbylljes së një lokali kanë ardhur janë afruar afër neve, duke marrë parasysh që janë të dehur janë shoqëruar në stacion të policisë në Leposaviq, konsiderohet prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, shtoi Elshani. Ai tha se nisja e operacionit erdhi pas informacionit dhe kërkesës që kanë pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ku aty u njoftuan për zhvillimin e disa aktiviteteve ekonomike të disa bizneseve të palicensuara dhe të paregjistruara në veriun e vendit.