Konferenca në Bibliotekë: Kadare lexohet pas ditëlindjes NULL NULL 10.02.2016 13:59 10.02.2016 13:59 Biblioteka Kombëtare publikon axhendën e veprimtarive në kremtimet e Vitit Kulturor kushtuar Ismail Kadaresë në 80-vjetorin e lindjes, konferenca shkencore dhe ekspozita “Qytetet e Kadaresë”, mbi imazhet simbolike të veprave të shkrimtarit. Deri tani festa për ditëlindjen e Kadaresë ka qenë pothuaj një dehje kolektive qoftë edhe institucionale, por pa folur për një marrëdhënie të këtij autori me kulturën, si letërsi, si botë leximesh, si përvoja estetike apo si projekt letrar. Në këtë tërheqje, Biblioteka Kombëtare ka publikuar dje disa aktivitete në kërkim të raportit të privilegjuar që ka ndërtuar shkrimtari me kulturës shqiptare, e përmes saj dhe me atë botërore. Për të perceptuar 65 vjet krijimtari letrare të pandërprerë, kur Kadare nisi marrëdhënien specifike, që zë fill me botimet e hershme, vijon me intensitet dhe komplekse edhe sot, pikërisht për të rrokur disa nga pamjet më bashkëkohore të këtij rrugëtimi kulturor, Biblioteka Kombëtare, në bashkëpunim me botën akademike dhe botues, zhvillon tri afri të ndryshme, studimore, estetike e informative, përmes konferencës shkencore “Ismail Kadare: Leximi dhe interpretimi”, ekspozitën “Qytetet e Kadaresë”, si dhe promovime të disa botimeve shkencore, realizuar në rastin e 80 vjetorit të shkrimtarit. Për konferencën shkencore, “Ismail Kadare: Leximi dhe interpretimi”, biblioteka fton akademikët: Rexhep Ismajli, Floresha Dado, shkrimtarin Bashkim Shehu, Ardian Ndreca, prof. Persida Asllanit, prof. as. Mark Marku etj., të cilët do marrin në shqyrtim “mundësitë e reja të leximit dhe interpretimit të veprës kadareane”. “Nga romanet te poezia, nga dialogu te digresioni, nga shkrimi te teksti, nga fiksioni te eseja, nga botimet kritike te leximet subjektive, tipar i kësaj konferencë mbetet në thelb sfida e përhershme e leximit dhe interpretimit të letërsisë”, thuhet në njoftimin për mediat nga Biblioteka Kombëtare. Ndërsa për ekspozitën “Qytetet e Kadaresë”, synohet që përmes titujve, pasazheve, librave por edhe imazhesh simbolike, të ndërtohet një nga tiparet më interesante të veprës së Kadaresë, “shkrimin e Qytetit”, shndërrimin e tij në një personazh të mirëfilltë letrar. “Ky shkrim specifik zhvillohet falë një procesi të përhershëm rikthimi e rishkrimi, kompleksiteti kujtese, ëndërrimi e invokimi, vëzhgimi dhe zbulese. Natyrshëm, ekspozita ‘Qytetet e Kadaresë’ e nis rrugëtimin me një nga pamjet më mbresëlënëse dhe më ndikuese të veprës së Kadaresë, siç është rrugëtimi brilant në kujtesën e qytetit të tij të lindjes, Gjirokastrës, që pikërisht për këtë bëhet edhe Qytet universal. Më tej, ajo vijon me qytetet e tjera, që kanë lënë mbresë jo vetëm në jetën e autorit, por sidomos në krijimet e tij: Moska, Stambolli, Tirana, Parisi etj.” Këto qytete, ashtu siç po e mendojnë organizatorët do të vijnë jo thjesht të përshkruara, por themelore në subjektet e prozës apo në fatet e personazheve të tyre, herë si qytete-kujtesë, herë si qytete-mungesë, herë si qytete-pushteti, herë si qytete-rinie, e herë si qytete-lirie./ mapo.al