Shembet ndërtesa në Stamboll – një i vdekur, tetë të lënduar NULL NULL 02.06.2024 14:57 02.06.2024 14:57 Zjarrfikësit kryejnë operacione kërkimi dhe shpëtimi në rrënojat e një ndërtese që u shemb për një arsye të pacaktuar në rrethin Kuçukcekmece të Stambollit. Foto: Anadoly Agency Një ndërtesë apartamentesh është shembur sot në Stamboll. Si pasojë, ka vdekur një person, dhe janë lënduar tetë të tjerë, thanë autoritetet. Kjo shembje ringjalli frikën për qëndrueshmërinë e ndërtesave në këtë qytet, i cili njihet për tërmete, shkruan AP, përcjell Klankosova.tv. Imazhet televizive treguan zjarrfikësit që zhvendosnin rrënojat me dorë nga ndërtesa pesëkatëshe e rrafshuar në Kuçukçekmece, në anën evropiane të qytetit. Shtatë persona u nxorën fillimisht nga rrënojat, duke përfshirë dy të cilët u lënduan rëndë, tha guvernatori i Stambollit Davut Gul ndërsa vizitoi vendin e ngjarjes. Ai tha se struktura 36-vjeçare u shemb në orën 8:40 të mëngjesit. Shkaku nuk ishte i qartë, por nuk kishte asnjë shenjë shpërthimi apo aktiviteti sizmik. Si banesa përdoreshin vetëm dy katet e fundit, ndërsa pjesa tjetër e ndërtesës ishte e zënë nga bizneset. Pamjet nga një kamerë matanë rrugës treguan pasagjerët që prisnin të hipnin në një minibus publik në momentin e shembjes, duke i shpëtuar mezi goditjes nga mbeturinat që binin.