Përurohet shtëpia e restauruar e shkrimtarit Ismail Kadare NULL NULL 31.01.2016 12:57 31.01.2016 12:57 Kryeministri i vendit Edi Rama, kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ishin të pranishëm në ceremoninë e përurimit të shtëpisë së restauruar të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. Duke vlerësuar punën e bërë deri më tani, kreu i qeverisë garantoi për vijimin e investimeve për ndërtimin edhe të një muzeu dhe të një librarie me dorëshkrime dhe sende personale të shkrimtarit Ismail Kadare. “Pikërisht në harkun kohor të ditëlindjes së Ismailit, ne jemi sigurisht të kënaqur që mundëm falë punës këmbëngulëse të ministres dhe të kryetares së Bashkisë Gjirokastër të çelim dyert e kësaj shtëpie me rëndësi të madhe për kujtesën historike të Gjirokastrës, por edhe të vetë kombit shqiptar”, u shpreh Rama. Më tej, kryeministri vijoi: “Por do të vazhdojmë me fazën tjetër, sepse shtëpia ka nevojë që të popullohet me librat e Ismailit, me dorëshkrime dhe sende personale që jam i bindur do të na i japë, edhe pse si gjirokastrit, do të na i japë me pikatore, pak nga pak. Dhe nga ana tjetër, unë kam folur edhe me Elenën që është gjysma më e mirë e Ismailit për të shtuar edhe një bibliotekë me librat e shkrimtarëve të dashur për Ismailin e miqtë e tij të vetmisë. Dhe kështu për të pasur brenda mureve të shtëpisë gjithë botën letrare të Ismailit. Shtëpia të mos jetë thjesht një muze, por të jetë një mjedis i gjallë që të rrijë hapur, të tërheqë njerëz jo vetëm për ta vizituar, por edhe për të studiuar dhe për të lexuar”, tha Edi Rama. Ndërsa kryetari i Kuvendit Ilir Meta, në fjalën e tij përshëndetëse të mbajtur në këtë ceremoni, vlerësoi figurën e shkrimtarit të njohur, duke e cilësuar si përfaqësues të denjë të kulturës së kombit tonë dhe të identitetit europian të tij.