50 oficerë të tjerë do të dërgohen për të ruajtur kufirin Finlandë-Rusi NULL NULL 23.11.2023 21:01 23.11.2023 21:01 Finlanda do të mbyllë të gjitha vendkalimet kufitare lindore me Rusinë, përveç njërit. Kjo për shkak se ajo po e akuzon Kremlinin se po zhvillon “luftë hibride” me krizën e emigrantëve në kufi. Një akuzë të tillë, Moska e mohon, raporton Euronews.com, transmeton Klankosova.tv. Agjencia evropiane e rojes bregdetare dhe kufitare Frontex ka njoftuar se do të vendosë 50 oficerë në kufirin e Finlandës me Rusinë. “Frontex planifikon të vendosë 50 roje kufitare dhe staf tjetër, si dhe pajisje të tilla si makina patrullimi, për të forcuar aktivitetet e kontrollit kufitar të Finlandës”, tha agjencia në një deklaratë. Ndërsa bëri të ditur se kjo ka mundësi të fillojë në fillim të javës së ardhshme. Finlanda, e cila po përballet me një rritje të hyrjeve të paligjshme në territorin e saj përmes kufirit të saj lindor, vendosi të mërkurën të mbyllë të gjitha vendkalimet kufitare me Rusinë fqinje, përveç njërit. Qeveria finlandeze tha se ishte “e qartë se autoritetet e huaja dhe aktorë të tjerë kanë luajtur një rol në lehtësimin e hyrjes së njerëzve në Finlandë”, sipas një deklarate. Në të fajësuan edhe “krimin ndërkombëtar”. Deri më tani, 10 zyrtarë të Frontex janë vendosur përgjatë 1 mijë e 300 kilometrave të kufirit që Finlanda ndan me Rusinë. Autoritetet ruse reaguan të enjten duke njoftuar se po rrisin sigurinë në rajonin kufitar Murmansk, ku i vetmi vendkalim kufitar me Finlandën është ende i hapur. Marrëdhëniet finlandeze-ruse janë përkeqësuar muajt e fundit, veçanërisht që nga koha kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, i cili çoi në anëtarësimin e Finlandës në aleancën ushtarake perëndimore të NATO-s në prill të këtij viti.