Dritan Abazoviqi merr pjesë në kremtimin e Ditës së Flamurit në Podgoricë NULL NULL 29.11.2022 00:13 29.11.2022 00:13 Në një pritje të madhe të Ambasadës së Shqipërisë në Mal të Zi, me praninë e autoriteteve të larta politike, trupit diplomatik, përfaqësuesve të shquar të shoqërisë civile të popullit shqiptar atje, u festua 110-vjetori i Pavarësisë dhe Dita e Flamurit. Në pritje mori pjesë dhe kreu i qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë shqiptar në Podgoricë, Ridi Kurtezi, vlerësoi nxitjen që kanë marrë marrëdhëniet dypalëshe shqiptaro-malazeze me ardhjen në krye të ekzekutivit, të Dritan Abazoviqit, posaçërisht në fushën e infrastrukturës që lidh dy vendet. “Ura mbi Bunë, Buna e lundrueshme, ishin dy projektet që theksoi si drejtime të reja të bashkëpunimit”, tha ambasadori në fjalën e tij. Ai shprehu fjalë simpatie për kontributin e shqiptarëve në “stabilitetin dhe qeverisshmërinë e vendit mik, me të cilin vitin që vjen dy qeveritë do të zhvillojnë mbledhje të përbashkët”. /Balkanweb