Hija e ushtarit të mirë NULL NULL 01.12.2015 17:51 01.12.2015 17:51 Nëse ka një hero romani të rinisë sime, për të cilin më merr malli ta kem afër kur jam në Shqipëri, ky është ushtari i mirë Shvejk, i shkrimtarit çek, Jaroslav Hashek. Aq i dashur dhe popullor ishte bërë Shvejku mes rinisë tiranase në vitet 1970 dhe 1980, sa erdhi e u shndërrua në personazh folklorik, në një trickster të së njëjtit lloj me Qerosin e përrallave popullore dhe Nastradinin e rrëfenjave të Lindjes. Hasheku e shkroi Shvejkun për të përqeshur degradimin, hipokrizinë dhe burokracinë e Perandorisë Austro-Hungareze, në vitet e rrokullimës së saj – gjatë Luftës I Botërore. Ne, që nuk dinim shumë për atë Perandori, e donim ushtarin e mirë dhe batutat e tij dhe historitë që i kishte të gatshme për çdo situatë, sepse na ngushëllonte si pakkush tjetër, në betejat tona të pabarabarta me autoritetin dhe autoritarizmin bruto të regjimit totalitar. Ngushëllimi që gjenim te ky mik i shtrenjtë ishte fund e krye antiautoritar. Siç e përshkruan Hasheku, Shvejku është një çek i bëshëm nga Praga, edhe shejtan edhe naiv, që vihet të zbërthejë tërë ngrehinën e kalbur të autoritetit, i armatosur veç me një certifikatë prej “idioti noterik”: është një “idiot” që lufton idiotizmin. I rekrutuar shpejt e shpejt në kohë lufte, i gatshëm të shkojë në front ulur në karrigen me rrota të invalidit, ai u reziston mekanizmave të hierarkisë ushtarake dhe të rrëgjimit aristokratik të ushtrisë austro-hungareze, duke ua shpuar tullumbacet fryrësve. Duke filluar nga të gjithë ata që ende i besonin Perandorisë. Një regjim autoritar mund të mbijetojë veç sa kohë që nënshtetasit ia njohin autoritetin dhe i besojnë; dhe aq më mirë nëse e shoqërojnë këtë besim me entuziazëm. Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë: http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/12/01/hija-e-ushtarit-te-mire/