ASISTI sonte special, mysafirë fituesit e Kupave të Kosovës NULL NULL 14.02.2022 16:34 14.02.2022 16:34 Premiera e episodit 482 të emisionit ekskluziv basketbollistik ASIST do të jetë tërësisht e fokusuar në super eventin e organizuar javën e kaluar, Kupën e Kosovës dhe sjell të gjitha raportet dhe analizat komplete të ndeshjeve që u zhvilluan në çerekfinale, gjysmëfinale dhe natyrisht finale në të tria konkurrencat, me të tri kupat e fituara, që do të jenë pjesë e Asistit 482. Trepça u shpall kampione pas 10 vjetëve, pasi mposhti në finalen e madhe Bashkimin falë edhe performancës maestrale të Drilon Hajrizit, i cili me plot meritë rrëmbeu çmimin e MVP-së së turneut. Si ia doli Bashkimi të shkaktojë dy befasi njëra pas tjetrës dhe të arrijë në finale? Cilat ishin pikat më të forta të Trepçës në këtë sukses të madh dhe cilët ishin lojtarët më të dalluar? Sa i përket garës së Kupës së Kosovës për skuadrat e Ligës së Parë, aty triumfuese në fund doli skuadra e re e New Basketit, për të cilët ky trofe do të ishte i pari në histori që nga themelimi i klubit, teksa në konkurrencën e femrave kampione doli Bashkimi, duke eliminuar fillimisht Penzën, pastaj në finale edhe Prishtinën. Drilon Hajrizi, që u rikthye në Trepçë dhe riktheu trofeun në Mitrovicë, do të tregojë rreth emocioneve, festës dhe të gjitha atyre që ndodhën në një javë shumë të ngarkuar për të dhe skuadrën e tij teksa do të jetë i ftuar në studio së bashku me kapitenin e New Basketit, Idol Pallushin dhe kapitenen e KBF Bashkimit, Ulpiana Emrën. Çfarë emocione pati Driloni dhe cilat ishin prapaskenat e titullit të fituar? Si ia doli skuadra e New Basketit që të shkaktojë befasinë dhe të marrë trofeun e parë në histori? Çfarë do të ndodhë me skuadrën e KBF Bashkimit pas trofeut të fituar? Përgjigjet për këto pyetje dhe shumëçka tjetër mund t’i mësoni në Asistin 482 me Agon Fehmiun, të hënën me start nga ora 21:00 në Art Sport 1 dhe 10 minuta pas mesnate në Klan Kosova.