Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor shpall finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2021 NULL NULL 09.10.2021 14:47 09.10.2021 14:47 Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor i ka shpallur finalistët për çmimin “Artistët e së nesërmes” për vitin 2021. Uresa Ahmeti, Endrit Jashanica dhe Enxhi Mehmeti janë tri finalistet për këtë çmim. Në kuadër të jurisë janë Anne Barlow, drejtore e TATE St. Ives në Britani të Madhe, Qëndresë Deda, fituese e këtij çmimi më 2018, artistja Minna Henriksson, Adam Kleinman, curator, dhe Nebojša Milikić, punëtor kulturor. “Finalistja e parë është Uresa Ahmeti, puna multi-disiplinare e së cilës përfshin video, performancë dhe tekst. Juria ishte e interesuar në mënyrën në të cilën ajo merr në pyetje marrëdhënien midis artistit dhe audiencës, të vëzhguarit dhe vëzhguesit, në kontekste që përfshijnë arkitekturën dhe hapësirën publike të Prishtinës. Ahmeti përqafon mosbindjen dhe refuzimin si mënyra për të rimarrë veten, duke sfiduar normat dhe pritjet rreth shprehjeve dhe përceptimeve të identitetit gjinor”, thuhet në njoftimin e Stacion – Qendrës për Art Bashkëkohor në Prishtinë. “Puna e finalistit të dytë, Endrit Jashanica, bashkon artin konceptual, performancën dhe digjitalen në mënyra komplekse dhe novatore. Duke përdorur mundësitë e teknologjive digjitale, duke përfshirë artin gjenerues dhe realitetin virtual dhe të shtuar, ai eksploron ide rreth të brendshmes dhe të jashtmes në aspektin e identitetit dhe formës, sjelljes dinamike dhe kaosit, dhe një të ardhme në të cilën jeta dhe teknologjia njerëzore bashkohen gjithnjë e më shumë”. “Finalistja e tretë është Enxhi Mehmeti, puna e saj flet për përvojën e diasporës kosovare. Përmes pikturave të saja të fuqishme dhe vizatimeve intime, si dhe skulpturës, muzikës dhe poezisë, ajo reflekton mbi identitetin kulturor dhe personal përmes një thjerrëze diasporike. Puna e saj trajton dallimet në gjuhën dhe kulturën vizuale, copëzimin, përfaqësimet e femrës dhe marrëdhëniet e paqëndrueshme midis artit popullor dhe kapitalizmit modern”. Fituesi do të qëndrojë për dy muaj në Nju Jork të SHBA-së në kuadër të progrmait rezidencial për artistë në Residency Unlimited.