Konjufca: Serbia kishte qëllim shfarosjen e popullit tonë NULL NULL 18.04.2021 19:00 18.04.2021 19:00 Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, së bashku me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti, nderuan sot dëshmorët dhe martirët që ranë për liri në Komunën e Prishtinës. Të tre krerët shtetërorë fillimisht bën homazhe dhe vendosën lule në varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, duke vazhduar më pas në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në disa fshatra të Gollakut. “Sakrifica e dëshmorëve qëndron e palëkundur në themelet e shtetit tonë. Pa sakrificën dhe rënien e tyre, nuk do të ishte e mundshme liria e popullit tonë, as shtetësia e pavarësia e vendit tonë”, tha Konjucfa. Tutje, Konjufca së bashku me Osmanin vazhduan me nderime tek varrezat e Dëshmorëve dhe Martirëve në Makoc të Gollakut, të një prej masakrave më të tmerrshme të luftës në Kosovë. “Ky është një akt i qartë i gjenocidit mbi popullin shqiptar të Kosovës. Qëllimi ishte shfarosja e popullit tonë, meqenëse nuk u kursyen as fëmijët, as gratë dhe pleqtë”, tha ndër të tjera Konjufca. Më pas, ai takoi disa nga familjarët e të rënëve të Marecit, me ç’rast çmoi lart kontributin e më të dashurve të tyre dhënë për liri. “Sa të ketë gjallë popull shqiptar, do të kujtohet dhe do të nderohet gjithmonë beteja e Marevcit, 27 dëshmorët dhe 16 martirët e rënë për lirinë e Kosovës, për shtetin tonë”, theksoi pas homazheve Konjufca. Ndalesa e radhës e nderimeve e kryetarit të Kuvendit ishte te Monumenti Memorial i masakrës së Dyzit dhe Koliqit. “Pjesa më e dhimbshme në këtë situatë është se nuk ka drejtësi”, tha ai para banorëve të fshatrave Dyz dhe Koliq. Tutje, Konjufca vlerësoi lart sakrificën e të rënëve dhe dëshmorëve nga Ribari i Vogël i Lipjanit, ku po ashtu ndaloi për të bërë homazhe. Vazhdën e vizitave dhe nderimeve ndaj dëshmorëve, Kryetari Konjufca e përfundoi me nderime para shtatores së heroit Zahir Pajaziti, në Prishtinë. klankosova.tv