Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

8 vjet pa Gazmend Sinanin, basketbollisti kujtohet me mall dhe respekt

NULL NULL
23.06.2026 07:26

Tetë vjet pas ndarjes së tij tragjike nga jeta, emri i Gazmend Sinanit mbetet i gdhendur në historinë e basketbollit të Kosovës. Më 23 qershor 2018, sporti kosovar humbi një nga figurat e tij më të dashura, në një ngjarje që Federata e Basketbollit e Kosovës e cilëson si një nga ngjarjet më tragjike për basketbollin e Kosovës.

Në përvjetorin e tetë të vdekjes së tij, Federata e Basketbollit e Kosovës ka kujtuar ish-reprezentuesin, duke theksuar se ai “gjithmonë do të mbetet në zemrat tona”.

“23 qershori i vitit 2018 ishte shumë i rëndë për basketbollin e Kosovës. Kosova humbi një basketbollist të dashur dhe një djalë të jashtëzakonshëm”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Sinani njihej për karakterin e tij, përkushtimin dhe shpirtin luftarak që e dallonte në çdo skuadër ku luajti. Ai ishte pjesë e Kombëtares së Kosovës që nga pranimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës në FIBA dhe la gjurmë të pashlyeshme me fanellën dardane.

Në shenjë respekti për kontributin e tij, fanella me numrin 15 është pensionuar përgjithmonë nga Federata e Basketbollit e Kosovës.

Gazmend Sinani ishte vetëm 27 vjeç kur humbi jetën. Karrierën e nisi te grupmoshat e reja të Prishtinës, ndërsa më pas vazhdoi zhvillimin në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe përfaqësueseve turke të grupmoshave të reja.

Gjatë karrierës së tij ai luajti për Prishtinën, Bashkimin dhe Rahovecin në Kosovë, ndërsa për disa sezone u paraqit edhe në klube të ndryshme turke. Në edicionin 2017/18 ishte pjesë e elitës së basketbollit anglez.

“Gazi njihej për shpirtin e tij luftarak në të gjitha skuadrat ku ka luajtur”, kujton FBK-ja, ndërsa figura e tij vazhdon të mbetet simbol i përkushtimit dhe dashurisë për basketbollin kosovar.

lajme të ngjashme