“60 persona morën mjekim”, Policia e Shqipërisë del me njoftim për helmimin e kursantëve NULL NULL 25.06.2026 11:17 25.06.2026 11:17 Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se në total janë 60 kursantë të helmuar në Akademinë e Sigurisë. Në njoftim thuhet se mbrëmë janë paraqitur për ndihmë mjekësore në QSUT 31 kursantë, me temperaturë dhe diarre. Ndërkohë, sipas policisë 29 të tjerë janë paraqitur mëngjesin e sotëm në spital. “Në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, me simptoma si temperaturë dhe diarre, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë, mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së”, thuhet në njoftim. Policia shqiptare ka njoftuar se është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse. “Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate. Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë bërë analizat dhe pritet dalja e përgjigjeve për të përcaktuar shkakun. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, njoftoi policia./Klankosova.tv