16 shtatori vendimtar: Çka pritet të ndodhë në Gjykatën Speciale me Thaçin dhe të tjerët? NULL NULL nga Genita Ukaj 02.07.2026 15:07 nga Genita Ukaj 02.07.2026 15:07 Gjykata Speciale ka caktuar 16 shtatorin, datë të shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në njoftim thuhet se seanca atë ditë do të mbahet nga ora 10:00. Trupi gjykues ka thënë se e ka shtyrë datën “për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor, dhe se kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes”. Avokati Ardian Bajraktari ka folur në Klan Kosova lidhur me këtë çështje, ku tha se mbajtja e tyre në paraburgim, pavarësisht përfundimit të procedurës, është në kundërshtim me ligjin dhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. “Mjafton fakti që katërshja e UÇK-së ndodhet në masën e paraburgimit edhe përkundër faktit që ka përfunduar procedura. Kjo natyrisht që, përveçse është në shpërputhje me vetë dispozitat e ligjit, është absolutisht në shpërputhje me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, praktikë e cila duhet të zbatohet dhe të merret në konsideratë nga të gjitha institucionet e drejtësisë, në kuadër të të cilave bën pjesë edhe Gjykata Speciale”, ka deklaruar Bajraktari. Ndërkaq, avokati Azdren Bytyçi tha se mënyra se si është themeluar gjykata ngjall dyshime për procesin dhe për vendimin përfundimtar. “Mendoj se ajo që më shtyn të dyshoj dhe të kem frikë për vendimin përfundimtar është mënyra se si është themeluar kjo gjykatë. Kjo gjykatë është e sponsorizuar politikisht prej Serbisë, me rrënjët e Dick Martit, dhe ka lobuar në administratën e Barack Obamës dhe Hillary Clintonit”, është shprehur ai. Bytyçi ka komentuar edhe skenarët e mundshëm të vendimit përfundimtar, duke përmendur mundësinë e lirimit apo dënimit. “Do të merret një vendim siç dihet në drejtësi. Për shembull, duhet të lirohen ose të lirohen plotësisht, ose të lirohet individi. Por tash, kur kanë kaluar gjashtë vjet, ata kanë qëndruar në paraburgim dhe mënyra e lirimit nënkupton që gjykata i ka mbajtur kot dhe duhet të paguajë miliona. Pastaj i dënojnë, mos me thënë për me la gojën, i dënojnë aq sa i kanë mbajtur. Pra, krejt këto matematika dhe skenarë janë të mundshëm”, tha Bytyçi në Klan Kosova. Ndërkaq, ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, në thelb po i bëhet Kosovës, derisa u shpreh se ekziston vetëm një e vërtetë, ajo e pafajësisë së katërshes së UÇK-së. “Absolute të dyshojë te jem më skeptik në këtë kuptim, sepse burimi i kësaj gjykate ka qenë i pari i drejtuar politikisht dhe armiqësor ndaj Kosovës. Këtë e kemi të gjithë të qartë. Mirëpo faktet janë në anën, fatmirësisht në anën e Kosovës, sepse këtu mos harroni ky gjykim i bëhet Kosovës. Ata janë individë, siç e tha, i kanë zgjedhur katër duke menduar t’i përfaqësojnë më mirë dhe në këtë kuptim unë mendoj që faktet janë aq të dukshme”, tha ai, njofton Klankosova.tv. Hardinaj njëherësh tha se, sipas tij, tendenca ndaj Kosovës është reflektuar si në Prokurori ashtu edhe në mënyrën e ndërtimit të procesit gjyqësor. “Tendenca kundër Kosovës e Prokurorisë, po edhe dëshmive, po edhe vetë ngritjes së kësaj, por edhe politikës për barazim ka qenë kundër Kosovës. Mirëpo koha ka qenë e padrejtë dhe e gjatë, por megjithatë kjo kohë prapë ka bërë që opinioni të shohë të vërtetën dhe e vërteta ka vetëm një, ka pafajësi. Ajo pse unë e mendoj dhe jam optimist që duhet të dalin dhe ata do të vijnë është sepse janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë, përveç faktit me gjetjen e odave të Britanisë. Vetë fakti që tha avokati, mosguximi i ballafaqimit, mosguximi i daljes së këtyre, kjo është një dorëzim. E dyta, mos harroni se kanë dëshmuar njerëz më kompetentë”, potencoi Haradinaj në Klan Kosova. Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur indinjatën e saj për shtyrjen e radhës së shpalljes së aktgjykimit. Përmes këtij reagimi, PDK tha se çdo zvarritje e konsideron të papranueshme dhe kërkon që aktgjykimi të bazohet vetëm në ligj, në faktet e vërtetuara gjatë procesit gjyqësor dhe në standardet më të larta të drejtësisë, duke u larguar nga çdo pretendim i pabazuar që është ngritur gjatë këtij procesi. “Pas gati gjashtë vitesh paraburgim dhe një procesi gjyqësor disa vjeçar, kjo nuk është më një vonesë procedurale, por një zvarritje e pajustifikueshme që cenon besimin në drejtësi dhe rëndon padrejtësisht mbi ish-udhëheqësit e UÇK-së, familjet e tyre dhe qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së, transmeton Klankosova.tv. Partia Demokratike e Kosovës përmes një postimi tha se kërkon përfundimin e kësaj padrejtësie shumëvjeçare. “Partia Demokratike e Kosovës rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë dhe çlirimtare, e zhvilluar për lirinë e popullit të Kosovës dhe e mbështetur nga bota demokratike. Kjo e vërtetë historike nuk mund të zhbëhet nga asnjë proces gjyqësor dhe as të relativizohet nga zvarritjet e vazhdueshme. Partia Demokratike e Kosovës kërkon përfundimin e kësaj padrejtësie shumëvjeçare dhe pret që drejtësia të vihet në vend, në mënyrë që ish-udhëheqësit e UÇK-së të kthehen të lirë në Kosovë, pranë familjeve dhe qytetarëve të vendit”, thuhet në deklaratë. E interesimi për të qenë të pranishëm gjatë shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të jetë shumë i madh. Kështu ka deklaruar gazetarja e Klan Kosova, Rina Mujku, duke thënë se kërkesat për të ndjekur nga afër seancën pritet të tejkalojnë ndjeshëm numrin e mëparshëm. “Natyrisht që po. Pavarësisht se unë kam pasur përshtypjen në shkurt të këtij viti, në mbylljen e rastit, pra gjatë fjalëve përfundimtare, se do të kishte kërkesa të shumta, ka pasur disa qindra për ato 67 ulëse sa janë në galerinë e publikut të Gjykatës Speciale. Por kësaj here pres që shifra e atyre që kërkojnë ta dëgjojnë nga afër këtë aktgjykim, që është kapitali i Gjykatës Speciale, të jetë shumë më e lartë, sepse ky është rasti më i madh dhe mund t’i kalojë edhe mijëra kërkesa, pasi e tillë është rasti dhe e tillë është pritshmëria”, deklaroi Mujku. Sipas saj, interesimi vjen si nga qytetarët brenda Kosovës, ashtu edhe nga bashkatdhetarët në diasporë, veçanërisht në vendet e Bashkimit Evropian. “E gjithë kjo vlen si për personat brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës, sepse duhet përmendur që kërkesat më të mëdha për t’i ndjekur nga afër këto procedura vijnë nga bashkatdhetarët, nga shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.Por pritet që të ketë qindra kërkesa. Besoj se do ta tejkalojë me një shifër shumë të lartë atë numër kërkesash, pra shifrën prej 200 e ca kërkesash që kanë qenë në seancat e shkurtit. Besoj pikërisht për shkak se po bëhet fjalë për aktgjykimin më të madh”, tha Mujku. Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që pretendohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë. Fillimisht, Trupi Gjykues kishte afat deri më 19 maj për të shpallur vendimin. Por, duke u thirrur në kompleksitetin e rastit, fillimisht vendosi ta shtyjë këtë afat deri më 20 korrik, ndërsa të mërkurën u dha data përfundimtare./Klankosova.tv Specialja cakton datën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve (VIDEO)