Thaçi: Takimi me Putin hap gjigant për diplomacinë kosovare NULL NULL 12.11.2018 22:05 12.11.2018 22:05 Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka dhënë detaje të takimit të tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ne Paris. “Takimi me Putin ka qenë krejt normal dhe korrekt. Në postimin të cilin unë e kam bërë kam theksuar qartë se është krijuar mundësia që të diskutojmë për disa minuta, kokë më kokë, për dialogun, për negociatat Kosovë-Serbi dhe mundësinë arritjes se një marrëveshje paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë”. Thaçi deklaroi se ka marrë mbështetjen e Putin për arritjen e marrëveshjes në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. “Putin ka theksuar se është një çështje delikate por në të njëjtën kohë në fund edhe ai ka qenë shumë i qartë në atë se Rusia do ta përkrahë mundësinë e arritjes së një marrëveshje Kosovë-Serbi”. Presidenti në Zona B takimin me Putin e vlerësoi si një arritje të lartë diplomatike për Kosovën. “Ky është takimi i parë në mes të Kosovës dhe Rusisë në një nivel të tillë”. “Është shumë me rëndësi qëndrimi i pozicionit të Rusisë, në qoftë se arrihet marrëveshje, që të tërheqë veton në Këshillin e Sigurisë për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Është hap përpara, një progres por edhe një angazhim diplomatik i munguar për Kosovën në raport me Rusinë”. “Raportet tradicionale të Rusisë me Serbinë nuk janë pengesë për raporte normale të Kosovës me Rusinë. Ne nuk kemi qenë as armiq e as miq por mund të kemi raporte normale siç kanë të gjitha vendet e BE-së me Rusinë. Mendoj se është një hap gjigant për diplomacinë e Kosovës”. Thaçi theksoi se gjatë takimit me homologun e tij rus nuk kanë diskutuar gjera konkrete mirëpo është diskutuar për aspektet e përgjithshme si dhe mundësinë e ndryshimit të pozicionit rus në raport me Kosovën.