12:18, 13 Tetor 2015

Kryeministri Edi Rama zhvillon të martën një vizitë zyrtare në Republikën Çeke. Ditari javor i Kryeministrisë publikon njoftimin zyrtar për vizitën e kreut të qeverisë shqiptare në Çeki.

Republika Çeke shikohet në Shqipëri si një vend aleat dhe një partner i besueshëm. Republika Çeke ka në Shqipëri tradicionalisht një emër shumë të mirë. Për këtë kontribuuan në mënyrë të rëndësishme vizitat reciproke të deritanishme të përfaqësuesve të rëndësishëm çekë dhe shqiptarë.

Shqipëria dhe Republika Çeke kanë ndërtuar tashmë një dialog të mirë e të vazhdueshëm në shumë nivele.

Ky dialog dëshmohet edhe nga numri i konsiderueshëm i vizitave të ndërsjella në nivel të lartë e shumë të lartë. Vullneti i Qeverisë shqiptare është për t’i çuar më tej këto marrëdhënie, duke nxitur forma konkrete dhe dimensione të reja bashkëpunimi në fusha me interes të ndërsjellë.

Kontaktet e deritanishme e kanë rritur nivelin e njohjes reciproke dhe të informacionit të duhur për mundësitë e bashkëpunimit që ekzistojnë për të dy vendet. Ndërkohë, po bëhen përpjekje që niveli shumë i mirë i marrëdhënieve politike të reflektohet dhe materializohet më mirë në fusha të interesit reciprok si në energji, miniera, bujqësi, turizëm, infrastrukturë dhe në fushat e artit e kulturës.