Ngrirja e liqeneve nuk ndikon në cilësinë e ujit të pijshëm NULL NULL 11.01.2017 23:27 11.01.2017 23:27 Temperaturat e ulëta dhe acari i ditëve të fundit ka bërë që të ngrihen edhe liqenet, ai i Batllavës e i Badovcit prej nga ku Prishtina furnizohet me ujë të pijshëm. Por, ngrirja e tyre nuk ndikon në cilësinë e ujit të pijshëm. Kështu ka deklaruar zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Arbërie Zogjani. “Nuk ndikon absolutisht, ngricat nuk kanë ndikim në cilësinë e ujit, këto ngrica po na shkaktojnë problem në furnizim me ujë të pijshëm por nuk kemi ndonjë problem tjetër, cilësia e ujit është si zakonisht”. Zogjani që ishte e ftuar në Kosova Direkt në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova ka thënë se temperaturat e ulëta kanë shkaktuar probleme me gypat dhe orëmatësit në të gjithë zonën e shërbimit. “Kemi probleme me ngrirjen e gypave dhe më pas pëlcitjen e tyre, kryesisht në të gjithë zonën e shërbimit, jo vetëm në zonën e Prishtinës. Kemi pasur më shumë se gjashtë raste të lajmëruara, për të cilat ekipet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kemi sanuar këto probleme teknike që kanë ndodhur si pasojë e temperaturave të ulëta”. “Kemi pasur edhe raste të pëlcitjes së xhamave të ujëmatësve, ku 19 prej tyre janë ndërruar gjatë ditës së sotme. Ju bëjmë thirrje konsumatorëve që kanë probleme të tilla, që të mos i ndërrojnë ujëmatësit pa prezencën e profesionistëve”. Ajo poashtu ka bërë apel tek qytetarët se si të kujdesen për ujëmatësit dhe rezervuarët e ujit, në mënyrë që të mos kenë telashe. “Ne kemi bërë apel përmes mediave që të bëhet termo-izolimi i orëmatësve, që të izolohen me batanije ose stiropor që të parandalohet pëlcitja e xhamave të tyre. Poashtu ju bëjmë thirrje konsumatorëve që përdorin rezervuarët e tyre që të mos i lënë ata të mbushur në tërësi dhe si pasojë të vijë deri tek ngrirja e tyre”. Ajo ka thënë poashtu se temperaturat e ulëta nuk kanë ndikuar në furnizimin me ujë të pijshëm, pasi sipas saj, furnizimi është stabil dhe po aplikohet orari i zakonshëm i reduktimeve. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Dhuna në familje, tre raste në Prishtinë e dy në Fushë Kosovë brenda 24 orëve 16 minuta më parë