Ministria e Shëndetësisë financon 31 OJQ për ruajtjen dhe përparimin e shëndetit NULL NULL 23.07.2018 10:51 23.07.2018 10:51 Ministria e Shëndetësisë nënshkroi kontratat me 31 organizata jo qeveritare, përfituese të mbështetjes financiare nga thirrja publike për financim të projekteve të OJQ-ve në fushën “Ruajtja dhe Përparimi i Shëndetit”. Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në këtë ministri, Naim Bardiqi tha se objektivi i përgjithshëm i thirrjes për propozime ishte realizimi i aktiviteteve që i kontribuojnë ruajtjes dhe përparimit të shëndetit, si dhe forcimi i partneritetit dhe bashkëpunimit me organizatat jo-qeveritare që veprojnë në këtë fushë. 31 OJQ-të fituese do të realizojnë projektet në edukim dhe promovim të shëndetit; përmirësimin e shëndetit të grupeve të cenueshme; rehabilitimin fizikal dhe mendor të grupeve të cenueshme dhe përkujdesjen shëndetësore-ditore jashtë spitalore dhe shtëpiake. Vlera totale e planifikuar e thirrjes publike ishte 400,000.00 euro, kurse shuma minimale e projekteve individuale ishte 1,500.00 euro dhe ajo maksimale 99,000.00 euro. OJQ-të kanë pasur mundësi të aplikojnë me më së shumti një projekt në kuadër të thirrjes publike, kurse periudha e zbatimit të projekteve fituese është 6-8 muaj.