1:28, 24 Prill 2017 Autor: Bosko Jaksic

Portali KoSSev nis një rubrikë të re në kuadër të faqes Dialog, e cila përbëhet edhe nga rubrikat “Nga ana tjetër e barrikadës” dhe “Bisedë pa shkas”.

Në rubrikën “Në lidhje të drejtpërdrejtë”, kolumnet e tyre javore në muajt në vijim do t’i publikojnë analisti nga Prishtina, Shkëlzen Maliqi, dhe analisti i politikës së jashtme, gazetari nga Beogradi Boshko Jakshiq (Boško Jakšić). Kolumnet e tyre do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës.

Versioni në serbisht i kësaj kolumne mund të lexohet KETU.

Kolumna 3 nga Boshko Jakshiq “Uniforma dhe buka me rriska” ne shqip dhe serbisht.

Kolumna 2 nga Shkelzen Maliqi “Dialogu nuk ka alternative” ne shqip dhe serbisht

Kolumna 2 nga Boshko Jakshiq “Në rrugën prej A në B, Thaçi e humbi ushtrinë” në shqip dhe serbisht

Kolumna 1 nga Shkëlzen Maliqi “Çrregullimi i Ri Botëror”, në shqip dhe serbisht.

Kolumna 1 nga Boshko Jakshiq “Pse e kaluara nuk mund të bëhet histori” në shqip dhe serbisht.

Këtë rubrikë e ka mbështetur KFOS-i. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura paraqesin mendimet dhe qëndrimet e autorëve dhe nuk përfaqësojnë doemos qëndrimet e donatorit.

 

= = = = = = = =

 

Bosko Jaksic: Nuk ka stabilitet pa demokraci

 

Të mësuar me lavdërime të zëshme dhe kritika të kohëpaskohshme, liderët në Beograd dhe në Prishtinë do të duhej të reflektonin lidhur me vizitën e shefit të diplomacisë Gjermane, Zigmar Gabriel, në regjion.

Gjermania ndër të parat ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe në të gjitha institucionet ndërkombëtare vendosët në pozitën e mbrojtësit të fuqishëm të kësaj pavarësie, ndërsa njëkohësisht është partner kryesor i Serbisë në Bashkimin Evropian – gjë që implikon se për arsye të veta mund të bashkëpunojë me këta dy partnerë, të cilët janë të prishur ndërmjet vete.

Dialogu i Brukselit në të shumtën është emërtues i përbashkët i politikës së tillë Gjermane, e cila me të madhe përcakton edhe qëndrimet e gjithë BE-së. Evropa përsërit se dëshiron që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen BE-së, por shumë moti e ka bërë të qartë se kjo nuk nënkupton importin e ndonjë “konflikti të ngrirë”, siç është në këtë fazë [sh.p. konflikti] serbo-kosovar.

Në ndërkohë angazhimi që kontesti në relacion Beograd-Prishtinë të zgjidhët është zbehur, saktësisht në po atë masë në të cilën pranimi i anëtarëve të reja faktikisht është hequr nga lista e prioriteteve dhe është shtyrë për kohën jo më herët se viti 2020.

Bashkimi Evropian do të mund të gjente shumë arsyetime pse është zhvendosur në periferi ky regjion: nga kriza greke dhe ajo ukrainase, nga migrantët dhe Brekziti deri të ardhja e Donalld Trampit në pushtet në Uashington.

Fatkeqësisht, u dëshmua se demokracitë e papjekura të Ballkanit Perëndimor, pa mentorim nga jashtë shumë shpejtë i kthehen nacionalizmave, të cilët para pak kohësh i kanë shpirë në luftëra. Nacionalizmat në plan të parë kanë nxjerrë liderët lokal të cilët dalluan që mënyra më e lehtë e sundimin është nxitja e epsheve të ulëta dhe se me parullat për ruajtjen e “krenarisë kombëtare” dhe “kërcënimit të jashtëm” mbulojnë dështimet e veta në nisjen e krijimit të demokracisë efikase.

Duke shfrytëzuar preokupimin e Bashkimit me problemet vetanake, po të njëjtit liderë gjatë shkuarjeve të kohëpaskohshme në Bruksel shumë mirë mësuan çfarë i pëlqen veshëve evropian. Betoheshin në reforma, normalizimin e raporteve në regjion, sundimin e ligjit, drejtat e njeriut dhe lirinë e mediave.

Sapo ktheheshin, ata i suleshin opozitës të cilën duhet të tolerojnë, por më shumë do të kishin dëshirë po të mos ekzistonte. Pengojnë çdo fjalë kritike. Miqtë partiak i shpërblejnë me shuma të mëdha parash të mbledhura nga fondet e korrupsionit. Gjyqësorin dhe policinë i mbajnë nën kontroll. Nga mediat bëjnë maskaradë.

Normalizimi me të cilin mburreshin në Bruksel, liderët në Beograd dhe Prishtinë më pastaj e shndërronin në incidente të kohëpaskohshme dhe provokime. Një ditë vendosin kërcunj, te nesërmen i largojnë. Ngjashëm me atë trenin e pafat “Kosova është Serbi” për Mitrovicën e Kosovës.

Kryeministri i deritashëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është mjeshtër i dizajnimit të problemit për ta zgjidhur pastaj vet dhe në Bruksel të paraqitet si garantues “i pazëvendësueshëm” i stabilitetit.

“Stabiliteti i regjionit është një gjë për të cilën duhet të kujdesemi dhe duhet të kuptohemi më mirë ndërmjet veti”, ka thënë Vuçiq para pak kohësh për portalin Politiko, në prag të vizitës në Mostar, në takimin e disa liderëve regjional.

Insistimi në stabilitet, gjithnjë sipas rregullit i përcjellë me akuzat ndaj palës tjetër se po e rrezikon, është një recetë e cila nuk është e panjohur për politikanët kosovar po ashtu.

Bashkimi Evropian gjatë, tepër gjatë, e vendoste stabilitetin mbi demokraci. Mbyllte sytë para autokratëve të gjeneratës së re duke toleruar sjelljen e tyre çdo herë e më arrogante. Në Ballkanin Perëndimor, i cili është lënë mënjanë, janë ringjallur përsëri pikat klasike neuralgjike: Bosnja dhe Hercegovina jo vetëm se me vite është një shtet tërësisht jofunksional, për më shumë, po ballafaqohet me tendencat secesioniste të Republikës Serbe.

Maqedonia dhe Mali i Zi përjetuan implodimet, ndërsa edhe Serbia priti protestat në rrugë. Dialogu i Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me muaj është duke u mbajtur me frymëmarrje artificiale. Sa e bllokojnë kundërshtarët e negociatave në Parlamentin e Kosovës me gaz lotsjellës, po aq edhe klero-nacionalistët serb të mbështetur në Rusi.

Në këto rrethana benzinë mbi zjarr hidhnin edhe diplomatët e ndryshëm të pensionuar, ish spiunët ose analistët me tekstet me të cilat thërrisnin për ndryshimin e kufijve, krijimin e Serbisë së Madhe, Kroacisë së Madhe ose Shqipërisë së Madhe – që nënkupton zhdukjen e BeH, Malit të Zi, e madje edhe të Kosovës së pavarur.

Ballkani Perëndimor është destabilizuar aq shumë sa që Evropa – ndoshta duke e kuptuar që kriza pjesërisht u krijua edhe për shkak të largimit të regjionit nga lista e prioriteteve të saj – përfundimisht iu kthye regjionit, me potencialet konfliktuoze e të cilit është njoftuar mjaft mirë dhe [sh.p. të cilët] i ka paguar shtrenjtë. Kujdesi i ringjallur i BE-së për regjionin është përcjellë në vërejtjen e qartë të Komisionarit Johanes Han, të cilën në mars në Sarajevë ia dha liderëve të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës, Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë: “Mos luani me zjarrin”.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Federika Mogherini, muajin e kaluar ishte në “një mision zjarrfikës”. Liderët e Bashkimit u brengosën në bazë të raportit të saj për shkak të “situatës së brishtë” dhe menjëherë e konfirmuan “mbështetjen e parevokueshme” për perspektivën evropiane të regjionit.

Tingëllon si rutinore, por vizita e zëvendëskancelarit Gabriel në Beograd dhe Prishtinë tërheq vërejtjen se BE nuk bën të lë mënjanë më Ballkanin Perëndimor dhe se në Berlin dhe Bruksel e kuptojnë se stabilitetit pa demokraci nuk është stabilitet i mirëfilltë, se situata e tillë mund të shkaktoj jostabilitet shumë lehtë. Prandaj, çdo herë e më shumë, përveç pritjeve të njohura që lidhen me stabilitet, do të merren edhe me gjendjen e demokracisë në kohën kur mediat perëndimore çdo herë e më shumë e tërheqin vërejtjen për rritjen e tendencave autoritare.

Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, liderët në Prishtinë dhe në Beograd duhet të mendohen për fjalinë e Ministrit Gjerman: “Sa herë në këtë regjion paraqitet një problem, kam ndjesinë se gjithnjë fajësohet një shtet fqinj”.

Është e qartë se Bashkimi do të inkurajoj dy palët për “normalizim”, që është parakusht i anëtarësisë së tyre, megjithatë ky mesazh mund të thotë se BE më nuk dëshiron të dëgjoj shkëmbime konstante të barazhit të kritikave të ndërsjella dhe të akuzave për ndalje ose bllokim të dialogut.

Kjo, për shembull, mund të nënkuptohet se Brukseli nuk do lejoj që Prishtina të lidh fatin e negociatave me rastin e Ramush Haradinajt. Do të ishte mirë që në Kosovë t’i mësojnë disa mësime të politikës serbe, për shkak të cilës e gjithë Serbia ka paguar cekun.

Me vite të gjithë qytetarët kanë qenë peng të gjeneralit Ratko Mlladiq ose Radovan Karaxhiqit sepse “strukturat e caktuara patriotike” kishin zgjedhur të mos i dorëzojnë “heronjtë serb” në Tribunalin e Hagës. Duket se Kosova ballafaqohet me rreziqe të ngjashme. Disa “struktura” nuk e dëshirojnë vazhdimin e dialogut përderisa “heroi” Haradinaj të mos jetë në Prishtinë, i lirë nga urdhër arresti serb dhe i Interpolit për krime të luftës. Shkurtpamëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës do të mund të paguanin një çmim shumë të lartë për një kompromis të tillë.

Kam fituar përshtypjen se po kalon koha në të cilën BE-ja ishte aq e fascinuar me dialogun kosovar saqë nuk i vërente të gjitha zhvillimet në fushën e sundimit të ligjit dhe të lirive demokratike.

Kjo nënkupton se asortimenti i kërkesave para Aleksandër Vuçiqit dhe Hashim Thaçit do të zgjerohet. Ata, me autoritet të presidentit do të udhëheqin faktikisht negociatat në Bruksel, por do t’iu duhet të korrigjojnë sjelljet e tyre në shtëpi. Kjo është pjesa më e rëndësishme e mesazhit të cilin Zigmar Gabriel ia dha Beogradit dhe Prishtinës. Çdo gjë tjetër është vetëm konfeksion diplomatik.

 

(Nga gjuha serbe tekstin e përktheu Bruno Neziraj)

 

 

 

Lajme të tjera