23:22, 28 Maj 2017 Autor: Shkëlzen Maliqi

Portali KoSSev nis një rubrikë të re në kuadër të faqes Dialog, e cila përbëhet edhe nga rubrikat “Nga ana tjetër e barrikadës” dhe “Bisedë pa shkas”.

Në rubrikën “Në lidhje të drejtpërdrejtë”, kolumnet e tyre javore në muajt në vijim do t’i publikojnë analisti nga Prishtina, Shkëlzen Maliqi, dhe analisti i politikës së jashtme, gazetari nga Beogradi Boshko Jakshiq (Boško Jakšić). Kolumnet e tyre do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës.

Versioni në serbisht i kësaj kolumne mund të lexohet KETU.

Kolumna 3 nga Boshko Jakshiq “Uniforma dhe buka me rriska” ne shqip dhe serbisht.

Kolumna 2 nga Shkelzen Maliqi “Dialogu nuk ka alternative” ne shqip dhe serbisht

Kolumna 2 nga Boshko Jakshiq “Në rrugën prej A në B, Thaçi e humbi ushtrinë” në shqip dhe serbisht

Kolumna 1 nga Shkëlzen Maliqi “Çrregullimi i Ri Botëror”, në shqip dhe serbisht.

Kolumna 1 nga Boshko Jakshiq “Pse e kaluara nuk mund të bëhet histori” në shqip dhe serbisht.

Këtë rubrikë e ka mbështetur KFOS-i. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura paraqesin mendimet dhe qëndrimet e autorëve dhe nuk përfaqësojnë doemos qëndrimet e donatorit.

 

= = = = = = = =

 

Turbulencat e njëkohshme në regjion që nga vjeshta e vitit të kaluar, e të mos shkojmë më larg në të kaluarën ku mund t’i gjejmë shkaqet dhe nxitësit e krizës, kishin krijuar atmosferën e një tërmeti të ri të sigurisë-politikës, i cili mund ta shkatërronte paqen e brishtë në regjion.

Të vendosura në një varg të dyshimtë, të parashikuar kauzal, trazirat në shtetet e Ballkanit Perëndimor dukej se po u jepnin pohimin atyre të cilët në procese shihnin teori konspiracioni: grusht-shteti i dështuar në Mal të Zi, referendumi i Dodikut, pat pozita dhe polarizimet e rrezikshme në Maqedoni pas zgjedhjeve, tentimi i të djathtës në Shqipëri që të rrëzojë pushtetin me protesta në rrugë disa muaj para zgjedhjeve, pas të cilave përndryshe do të ishte në gjendje ta ndërronte në mënyrë demokratike po t’i kishte votat (e nuk i ka!), pastaj tensionet etnike dhe bllokimi i Kuvendit të Kosovës dhe i dialogut me Beogradin, i cili duket si të jetë zënë në një rrugë të magjishme pa krye, dhe në fund, zgjedhjet presidenciale në Serbi që kanë fuqizuar pushtetin (individual) të Vuçiqit e pastaj në mënyrë reaktive kanë shkaktuar protesta masive, e në përgjithësi shterpe…

Prapa të gjitha këtyre zhvillimeve dukej se po përvijohej hija e Rusisë së Putinit, por edhe e zgjedhjes së një individi të ri në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trampit, i cili edhe në kohën e fushatës ngutej se Shtetet e Bashkuara do të ndryshonin politikën ndaj Rusisë, Ukrainës, Sirisë, BE-së, aleancës së NATO-së dhe OKB-së; si të ishte i gatshëm që të bënte një marrëveshje spektakulare me Moskën… E çfarë shpresash zgjoi kjo në planet e brendshme dhe ato regjionale, shumë shpresuan se përsëri po paraqitet mundësia për të përfunduar disa punë “të papërfunduara”, përmbysje dhe lufta, që do t’i vështirësonte jetën BE-së, e ndoshta edhe t’i jepte goditjen vdekjeprurëse kësaj “utopie brukselase”…

Pastaj me pranverë në të gjitha nivelet filloi kthjellimi dhe dëshpërimi, varësisht nga cila anë shikohen proceset. Tramp kuptoi se puna në Shtëpinë e Bardhë nuk paraqet një reality show dhe se pushtetin nuk ia kufizon vetëm Kongresi Amerikan dhe Partia Republikane “e tij”, por edhe disa gjyqtarë federalë në Havaje, derisa lidhjet e tij ruse dhe ambiciet u lexuan dhe shkundën aq shpejt sa që ai nuk ia doli as të kuptonte se çfarë e goditi.

Në regjionin tonë, lavjerrësi i procesit kthehet në një kurs më normal.

Mali i Zi hyn në NATO: i gjithë baseni i Adriatikut është nën kontrollin e aleancës veri-atlantike.

Në Maqedoni, Gruevski dhe VMRO-ja nuk ia dolën ta provokonin luftën etnike e as të pengonin me dhunë bartjen e pushtetit në Kuvend në aleancën mes Zaevit dhe partive shqiptare. Pritet që kjo qeveri ta zgjidh çështjen e emrit të shtetit dhe të mundësojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe të nisë nga pika zero bisedimet për integrimin në BE.

Shqipëria është në prag të nisjes së reformave radikale të sistemit gjyqësor, si parakusht për vendosjen e shtetit të së drejtës, pas të cilave pritet “pastrimi i madh”; shumë persona të fuqishëm në politikë, biznes dhe sfera të tjera të krimit të organizuar do të duhej të përfundonin prapa grilave…

Edhe segmenti kosovaro-serb i krizës kërcënuese me siguri se së shpejti do t’i kthehet binarëve të vazhdimit të dialogut. Sipas skenarit premtues parashikohet jo vetëm mbulimi i kohës së humbur dhe vendnumërimi në zgjidhjen e “çështjeve teknike”, por edhe dakordimi i marrëveshjes së nivelit më të lartë, e cila do t’i hap dyert për përshpejtim të procesit të integrimeve në BE për Serbinë dhe Kosovën.

Kjo perspektivë disi veçse është paralajmëruar me ndryshimin e formatit të dialogut në Bruksel kur herën e fundit si kryenegociatorë u inauguruan kryetarët e shteteve, në atë kohë në përbërje Thaçi – Nikoliq, i cili tash do ta kthejë në proces Vuçiqin dhe Thaçin. Këta dy qëndronin pas Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013 dhe ata ndoshta edhe do të mund ta perfeksiononin procesin e njohjes reciproke dhe të normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Natyrisht, ky parashikim mund të duket si wishful thinking me të cilin lihen mënjanë kundërshtimet kryesore dhe kontestimet që ekzistojnë në të dyja anët rreth legjitimitetit demokratik të të dy kryenegociatorëve. Megjithëse Vuçiq tashmë ka fituar zgjedhjet e drejtpërdrejta dhe ka siguruar pushtetin absolut, kështu që ai përkundur protestave ka legjitimitet të mjaftueshëm demokratik, të cilin nuk ia mohon bashkësia ndërkombëtare. Përderisa kjo nuk mund të thuhet për Thaçin edhe pse mandati i tij presidencial zgjat edhe katër vjet, sepse ai nuk është zgjedhur drejtpërdrejt nga populli; do duhej pritur rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme më 11 qershor për të parë nëse opozita e fuqishme anti-Thaçi do të fuqizohej në përbërjen e re në Kuvend në atë masë sa për të bllokuar ose komplikuar rezultatin e projektuar të dialogut të Brukselit.

Në kolumnen e tij të fundit, Boshko Jakshiq proceset aktuale i sheh dhe i vlerëson nga perspektiva e mungesës së demokracisë dhe legjitimitetit, që pastaj, sipas tij, është shkaku i jostabilitetit të përhershëm në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe në përgjithësi në regjion. Formula e Jakshiqit, “Nuk ka stabilitet pa demokraci”, tingëllon shumë racionale, e këndshme dhe etike për veshët, dhe gjithsesi do të ishte më shumë se e mirëseardhur po të ekzistonin kushtet për triumfin e pakundërshtuar të demokracisë, por kjo thjesht nuk i përshtatet situatave tranzicionale në të cilat gjendemi. Çështja është se në Kosovë dhe në Serbi nga njëra anë proceset demokratike dhe legjitimuese janë më shumë formale sesa thelbësore: mbahen zgjedhjet, zgjedhën dhe numërohen shumicat dhe pakicat, krijohen koalicione interesi të shumicës, por ekzistojnë edhe konkurrencat e pabarabarta, favorizimet dhe parregullsitë që hedhin hijen mbi legjitimitetin e zgjedhjeve dhe të pushtetit.

Nga ana tjetër, kjo demokraci formale si dhe ndikimi i fuqive dhe faktorëve të jashtëm mundëson mbajtjen e një lloj stabiliteti relativ, që, nga njëra anë, është një kusht i rëndësishëm për mbajtjen dhe avancimin e demokracisë. Pra, unë do të plotësoja formulën e Jakshiqit me qëndrimin: “Nuk ka as demokraci pa stabilitet”.

Me fjalë të tjera, po të prisnim që në Kosovë dhe në Serbi të funksionalizohen demokracitë që do të jenë legjitime në perfeksion për të arritur stabilitetin dhe marrëveshje legjitime strategjike ndërshtetërore, Dialogu i Brukselit do të zgjaste së paku edhe pesëmbëdhjetë vjet, nëse jo edhe më shumë.

Vuçiq, ashtu si Thaçi, gjithsesi nuk janë modele ideale të politikanëve demokratikë, megjithatë janë më të suksesshmit dhe më me ndikim në konstelacionin stabilizues-demokratik në relacionin e fuqive dhe, që është edhe më e rëndësishme, për momentin nuk kanë alternativa serioze të politikanëve kompetentë dhe të përgjegjshëm nga të cilët do të mund të pritej të përfundojnë për Kosovën dhe Serbinë procesin  historik të Marrëveshjes së Brukselit.

E pastaj të fitonin Çmimin e Nobelit për Paqe, që nuk do të paraqiste kurrfarë presedani.

 

 

Lajme të tjera