20:03, 25 Mars 2017 Autor: Bosko Jaksic

Portali KoSSev nis një rubrikë të re në kuadër të faqes Dialog, e cila përbëhet edhe nga rubrikat “Nga ana tjetër e barrikadës” dhe “Bisedë pa shkas”.

Në rubrikën “Në lidhje të drejtpërdrejtë”, kolumnet e tyre javore në muajt në vijim do t’i publikojnë analisti nga Prishtina, Shkëlzen Maliqi, dhe analisti i politikës së jashtme, gazetari nga Beogradi Boshko Jakshiq (Boško Jakšić). Kolumnet e tyre do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës.

Versioni në serbisht i kësaj kolumne mund të lexohet KETU.

Kolumna 1 nga Shkëlzen Maliqi “Çrregullimi i Ri Botëror”, në shqip  dhe serbisht.

Kolumna 1 nga Boshko Jakshiq “Pse e kaluara nuk mund të bëhet histori” në shqip dhe serbisht.

Këtë rubrikë e ka mbështetur KFOS-i. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura paraqesin mendimet dhe qëndrimet e autorëve dhe nuk përfaqësojnë doemos qëndrimet e donatorit.

 

= = = = = = = =

 

Bosko Jaksic: Në rrugën prej A në B, Thaçi e humbi ushtrinë

 

I udhëhequr nga dëshirat maksimaliste, i trimëruar me mbështetjen shumëvjeçare të aleatëve perëndimorë, i papërgatitur ta vlerësojë “momentin politik”, por i gatshëm ta mbivlerësojë veten – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për herë të parë nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 ka hyrë në rrugën e kolizionit me mentorët e tij.

Nisma për ndryshimin e ligjit për transformimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) në Ushtrinë e Kosovës ka kaluar në Parlament në Prishtinë, por nuk e ka marrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s.

Aleatët perëndimorë, të cilët kanë ndihmuar në formimin e FSK-së dhe forcat e të cilëve kujdesën për sigurinë në Kosovë, në parim nuk janë kundër krijimit të Ushtrisë së Kosovës, por si duket jo në këtë moment.

Në Uashington dhe në Bruksel nuk precizohet nëse kundërshtimin e kanë nxitur tensionet në rritje në regjion. Ose fakti se Kosova zë numrin e parë në Europë sipas numrit të xhihadistëve në Shtetin Islamik në proporcion me banorët – rreth 200.

Zyrtarisht, mospajtimi interpretohet me procesin e votimit të vendimit për transformimin e FSK-së. SHBA-të janë të brengosura sepse ndërrimi i mandatit është nisur pa amandamentimin e nevojshëm të Kushtetutës.

Për ta ndryshuar Kushtetutën dhe për ta krijuar ushtrinë “multietnike” nevojitet pajtimi i të gjitha partive në Parlament, por ajo nuk mund të ndodh pa votat e dhjetë deputetëve të Listës Serbe, të cilët tashmë me javë po e bojkotojnë Parlamentin. Qeveria në Prishtinë në periudhën prill – korrik të vitit të kaluar 16 herë ka ftuar ministrat serbë që bashkë të shqyrtojnë çështjen e Ushtrisë së Kosovës, por të gjitha ftesat ishin refuzuar.

“Nuk mund të bëhemi pjesë e NATO-s pa krijimin e ushtrisë. I kemi pritur tre vjet deputetet serbë dhe ata qartë kanë deklaruar se kurrë nuk do të votojnë për themelimin e Ushtrisë së Kosovës sepse janë nën ndikimin e Beogradit. Tash jemi të detyruar të vazhdojmë me Planin B – ndryshimin e ligjit, që është plotësisht në pajtim me Kushtetutën e Kosovës”, deklaronte Thaçi.

Doli që nisma ishte e shtënë me armë në ajër.

Kot tërhiqte vëmendjen Thaçi që Ballkanit i kanoset rreziku nga “bazat ushtarake ruse në Serbi, MIG-at rusë dhe manovrat ruse në Serbi” dhe se Kosovës në këto rrethana i nevojitet ushtria e rregullt.

Kot ministrat e mbrojtjes së Shqipërisë dhe të Kroacisë i kanë shkruar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s duke përmendur “kërcënimet” nga Serbia.

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka tërheq vërejtjen se SHBA-të do të “rishqyrtojnë bashkëpunimin bilateral” nëse autoritetet e ndërrojnë mandatin e FSK-së. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka thënë se është i “shqetësuar”. Edhe KFOR-i doli me deklaratë se do nevojitet të shqyrtojnë nivelin e angazhimit në Kosovë nëse ndodhin ndryshimet.

Për të disatën herë me radhë u dëshmua se pushtetarët botërorë udhëhiqen vetëm nga interesat e tyre, edhe pse në disa momente fitohet përshtypja se janë gati emocionalisht të lidhur me aleatët e tyre të vegjël, të cilët pastaj lirohen aq shumë sa që mendojnë se çdo gjë iu lejohet.

Thaçi tani ma kujton Sllobodan Millosheviqin në kohën pas Dejtonit në vitin 1995, kur Perëndimi me plot zë e lavdëronte si “Garantues të paqes dhe stabilitetit” në Ballkan. Pastaj “Kasapi i Ballkanit” ndau fatin të cilin më vonë do të përjetojë një tjetër aleat i madh amerikan, Sadam Huseini.

Prishtina po i përsërit gabimet të cilat në kohën e saj, para bombardimeve të vitit 1999, i bënte Serbia. Të mësuar me favorizime, shqiptarët nuk mendojnë se Perëndimi do të mund të ndalet me tolerimin e të gjitha orekseve të tyre – nga diktimi i kushteve për formimin e Qeverisë së Maqedonisë deri të kërcënimi i ndërprerjes së dialogut me Beogradin deri sa të mos lirohet Ramush Haradinaj.

Thaçi pohon se nuk do të heqë dorë nga krijimi i ushtrisë së rregullt “si të gjitha shtetet tjera në rajon”, por nuk ka shkuar aq larg sa për ta anuluar dialogun me Serbinë përkundër refuzimit të fuqishëm nga Beogradi.

“Serbia kurrë nuk do të pajtohet me themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Ne e dimë çka është Serbia dhe çka nuk do t’i japim kurrë askujt”, është eksplicit Aleksandër Vuçiq, i cili Kosovën çdo herë e më shpesh e shfrytëzon në fushatën presidenciale, ku është njëri ndër kandidatët.

Qortimet e para serioze të cilat Perëndimi ia ka adresuar Prishtinës, Beogradi po mundohet t’i regjistrojë si fitore të tij, por a ekziston ndokush që është paksa i njoftuar me politikën e jashtme dhe që mendon se kritikat e amerikanëve dhe të NATO-s janë rezultat i veprimit të diplomacisë serbe?

Nuk ka vendosur NATO sepse Serbia ka lobuar te rusët dhe kinezët. E as nuk e ka marrë anën e Vuçiqit pas konfrontimit të tij të ashpër verbal me Thaçin përmes telefonit. E as sepse Rezolutës 1244 të OKB-së i përmbahet si Biblës.

Arsyeja pse nuk ka Ushtri të Kosovës është rezultat i vlerësimit të Perëndimit se hapi i tillë në këtë moment do të destabilizonte më tej regjionin, i cili tashmë është mjaft i lëkundur me nacionalizmat, institucionet e dobëta dhe shtetet e papërfunduara.

Ideja për transformimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), të formuar në janar 2009, në ushtri të rregullt, nuk është e re. Që në fillim të vitit 2012, Ministri i asokohshëm i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Agim Çeku, premtonte që FSK menjëherë në vitin 2013 do të bëhej ushtri e rregullt dhe se do të anulohej pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës.

FSK ka mandat të kufizuar për të marrë pjesë në operacionet e mbrojtjes civile, largimit të mjeteve shpërthyese dhe materialeve të rrezikshme dhe t’i ndihmojë autoritetet civile gjatë fatkeqësive natyrore dhe situatave të tjera të jashtëzakonshme, ndërsa ideja është që misioni të zgjerohet në “mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial”.

Sipas planit të Thaçit, forcat e sigurisë do të rriteshin për 1.000 persona – në gjithsej 5.000, derisa trupat rezervë do të forcoheshin nga 500 pjesëtarë – në gjithsej 3.000. Formimi i këtyre forcave, për buxhetin e të cilave janë siguruar 35,5 milionë euro, është pjesa përbërëse e aspiratave të Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO.

Ideja e ushtrisë e cila “nuk paraqet kërcënim për askënd” nuk kaloi. As në NATO e as te fqinjët.

Tajmingu i keq shpalos që autoritetet e Kosovës me miopi shtyjnë agjendën e tyre ambicioze duke mos e shikuar botën rreth tyre. Ndërsa kjo botë/regjion është aq i brishtë sa që çdo veprim nga cilado anë assesi nuk kontribuon në stabilitet dhe normalizim.

Derisa është kështu, e padyshim se do të zgjasë një kohë, për sigurinë e Kosovës dhe të të gjithë banorëve – shqiptarëve, serbëve, goranëve, turqve, egjiptianëve – do të kujdesen 4.500 pjesëtarë të forcave nga 31 vende, të cilët janë pozicionuar aty pas luftës së 1999. “Sado që të jetë e nevojshme”, porositën në Prishtinë muajin e kaluar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe Komandanti i Forcave të Bashkuara të Forcave Amerikane në Evropë, gjenerali Kurtis Skaparoti.

Thaçi bëri llogarinë keq, por për shkak të një gabimi mund të bëjë edhe të dytin. Ka deklaruar se “do të japë dorëheqje nëse ligji për formimin e Ushtrisë së Kosovës nuk kalon” dhe se në këtë rast “Kuvendi duhet të shkojë në shtëpi”, që nënkupton zgjedhje të parakohshme.

Por, nëse Kosova e gjen veten në situatë të përzgjedh ndërmjet Hashim Thaçit dhe Amerikës, do të vija bast se aty nuk do të kishte dilemë.

Presidenti është mall shpenzues, amerikanët konsiderohen si aleatë të përjetshëm strategjikë. Përveç nëse vërtetohet një vlerësim i vjetër që Thaçi është mjeshtër për zgjidhjen e problemeve – të cilat i krijon vet.

 

 

(Nga gjuha serbe tekstin e përktheu Bruno Neziraj)

 

 

 

 

Lajme të tjera