15:47, 19 Nëntor 2016 Autor: Baton Haxhiu

 

Melania është Presidentja jonë. Ajo mban peshën e mirësisë për botën tonë ballkanike, por edhe pafuqinë e saj për të treguar se çfarë janë popujt tanë. Ajo mund të thotë edhe një të vërtetë për ne të gjithë. Te popujt që ende ndahen me kujtesa për luftërat vërtet mund të ndryshosh shumë gjëra, por vetëm nëse u flet me gjuhën që ata e kuptojnë dhe vepron me mjete që ata i njohin.

 

Çfarë do të ndodh me Kosovën e vogël, apo çka do të ndodhë me shqiptarët pas fitores së Trump? Kjo nuk është pyetje gjithaq e rëndësishme. E rëndësishme është se çfarë do të bëhet me Ballkanin pas fitores së Trump.

Ky, me gjasë, është interesimi i Ljiljanës. Të dijë në mos kjo rokadë presidenciale amerikane do ndikojë që Ballkani të bëhet ndryshe.

Përgjigjen mund ta jap me një fjali; atë ditë kur Ballkani do të mbetet vetë i qeverisur nga të gjithë këta njerëz prepotentë, do të ndodhë historia shqiptare, që më humor thuhet se për dy mijë e sa vjet kemi mbetur me numër të njëjtë banorësh.

Para 2000 vjetësh, të parët tanë, ilirët dhe epirotët, bashkë me fqinjët tanë, maqedonët dhe trakët, ishin sundimtarë të gjysmës së botës. Ata ishin, me siguri, disa milionë. U deshën 2000 vjet që “ta hanë” njëri-tjetrin derisa erdhën në një numër që mezi mbijetuan.

Kur studion dhe sheh me paanësi historinë e vjetër dhe të re të Ballkanit, nuk mund të mos pranosh se banorët e gadishullit si rrallëkund tjetër humbin në çdo epokë historike nga vetëvrasja, respektivisht duke vrarë njëri tjetrin, duke përzënë njeri tjetrin dhe duke zbrazur e deformuar etnitë, kulturat e tyre, me një vrazhdësi të paparë eutanazike.

Duke shpresuar që një ditë do të iluminohen duke bërë diçka për vete dhe jetën ta kthejnë njëherë drejt një koekzistence në përputhje me humanësinë, e jo duke ëndërruar si sadomazohistë dhe duke pritur në ankth se kjo apo jo fuqi e re apo e vjetër do t’iu ndihmojë që përfundimisht ta shfarosin tjetrin.

Dhe të shfarosemi plotësisht nuk mundemi, por në këste – po. Mjafton vetëm një Parti Socialiste (SPS) dhe një lider si Millosheviqi që, ashtu siç paradoksalisht na ndihmoi të bëhemi të pavarur me politikën dhunuese, të vazhdojë me një lider tjetër dhe me të njëjtën politikë, që t’na ndihmojnë me një luftë të re. Rrota historike, ashtu siç ka ecur përherë deri tash, vazhdon drejt ferrit të vetëdëshiruar. Këtu na duhet gjithmonë fitili, tjerat i bëjmë vetë. Vetëm na duhet që dikush të na ndihmojë qoftë edhe retorikisht që ne armiqësinë ta shndërrojmë në vrasje me paramendim dhe plan. Se as këtë të fundit nuk dimë ta bëjmë si duhet: planin e keq, kundër tjetrit, ngase në fund na zhbën edhe ne vetë.

Por, e vërteta është disi ndryshe

Duke u kthyer nga Beogradi, kur isha atje për ta përcjellë vizitën e Edi Ramës, Kryeministrit të Shqipërisë, në fshatin Kastrat (mbiemër ky bukur i njohur në Kosovë), në disa shtëpi të fshatrave serbe afër kufirit me Kosovën kishte mbishkrime interesante: “Shesim tokë dhe shtëpi vetëm për shqiptarët”.

Me gjasë askush nga serbët nuk interesohej që t’ia shiste varfërinë e tyre të katandisur në dhjetëra kilometra vetmi dhe zbrazëti, një varfërie tjetër serbe. Fshatrat kishin një pamje të bukur, me shtëpi të vjetruara që koha i kishte kafshuar për faktin se nuk kishte jetesë.

Në dhjetëra kilometra rrugë kishte vetëm pleq serbë të vetmuar, që dukeshin si zombie në shtëpi të boshatisura. Kishte kohë që nuk kisha parë diçka më të dhimbshme. Dhe rrugës, duke shikuar varfëri dhe pakujdesje të shtetit, kujtohesha se çfarë kërkojnë serbët e Mitrovicës dhe çfarë bën shteti serb për disa mijëra serbë për t’iu krijuar iluzionin e kthimit të shtetit serb në Kosovë. Çfarë mashtrimi pervers, por duket “normal” për mentalitetin e ballkanasit. Ky mashtrim ndodhi në veri të Kosovës.

Mitrovica, të mërkurën, pas zgjedhjeve amerikane, u gdhi me postera të presidentit të ri amerikan.

Në veri të Kosovës kishte ndodhur një ngjarje tjetër. Serbët brenda Kosovës kishin dëshirën e çuditshme: të fitojë Trump që Kosova, ndoshta, me një “Millosheviq të ri”, t’i kthehet Serbisë. A ka më fatalitet të madh për një mendësi që shpëtimin ta kërkojë përtej oqeanit ngase është kastruar në frymë për ta mos pranuar realitetin aty ku gjendet, ta ndërtojë jetën aty ku jeton?

Për mua – jo!

Në të njëjtën ditë kur fitoi Trump, kundër të cilit me plot zemër ishin deklaruar shqiptarët, natyrisht edhe unë, kishin ndodhur dy ngjarje.

Por, për veten time, arsyeja e dhimbjes për fitoren e Trump nuk ishte për faktin se serbët gëzoheshin për fitoren e tij, por sepse bota po hynte në paqartësinë e saj shekullore.

Në botën e vogël të njeriut të përditshëm, ku gjërat shihen bardhezi, kishte një ndarje të thjeshtë –  serbët festuan, kurse shqiptarët u zemëruan dhe vuajtën. Kjo është plotësisht e vërtetë.

Po kthehemi të fillimi i shkrimit; pse po pakësohemi në këto dymijë vite?

Cili ishte, në të vërtetë, thelbi i grindjes gjatë këtyre viteve midis shqiptarëve dhe serbëve, dy popujve që për një shekull kanë qenë të armiqësuar? Në këtë pyetje të Liljanës u përgjigja në shkrimin e kaluar. Dhe nuk provoi as të kthejë përgjigje. Sikur në një shekull s’kishte ndodhur asgjë ndërmjet nesh.

Sipas saj, jeta e re po na lind me ardhjen e Trumpit president. S’është çudi që edhe mund të ndodh!

Por sot, ç’na shtyn të urrehemi dhe a duhet ta vazhdojmë urrejtjen? Me Trumpin apo pa të.

Dhe a dini ku e pashë rikthimin e urrejtjes? Në dëshirën e madhe serbe që Trump të fitojë dhe në dëshirën e tyre që ta rikthejnë Kosovën. Pra, u gëzuan për Trumpin sepse shpresojnë ta kthejnë diçka që jo se e kanë humbur, por që s’ka qenë kurrë e tyre, ose vetëm në kushte të një pushtimi të egër mbi një tokë dhe njerëz të huaj.

Vlen ajo thënia: “Dusa u stranom telu”, që në përkthim do të thotë “Shpirti në trup të huaj”. Kjo shprehje i dedikohet asaj fraze të madhe serbe, që e përdor çdo kishtar dhe çdo politikan serb: “Kosovo je dusa srpskog naroda” (“Kosova është shpirti i popullit serb”), me të cilën Matija Beçkoviq e nisi luftën me shkronja në ish Jugosllavi, me 1989.

Unë kthehem të pika e fillimit të humbjes së madhe. Në Cankarjev Dom. Në Lubjanë. Aty ku Milan Kuçan kishte thënë se në Trepçë dhe Kosovë mbrohet Jugosllavia. Dhe, rrëfimin se çfarë ndodhi pastaj e dimë të gjithë.

Ivica Daçiq në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ishte po aq Trampist sa edhe Beçkoviç me fjalorin e tij. Ai tha që “Trepça është zemra e Serbëve”. Këtë fjali e ka thënë edhe Millosheviqi në Gazimestan.

Pse ky kthim i gjuhës dhe i vrasjes publike të një paqeje. Pse?

Dëshira e madhe e serbëve të Kosovës për fitoren e madhe të dhëndrit slloven, dhe vuajtjen e shqiptarëve për humbjen e Klintonëve tregon një rrëfim tjetër për ne.

Ne ende urrehemi.

Në ende kërkojmë një ndihmë të madhe për ta shkatërruar tjetrin. Ky është lajm i keq.

Por, unë shpresoj në mirësinë e Melanias. Ajo është e bukur dhe është sllovene. Na duhet Melania. Ashtu siç na duhen njerëz dhe aty prej ku vetëm sinjale të mosdurimit marrim edhe sot, në shekullin 21. Ka njerëz atje që mendojnë ndryshe nga politika?

Melania është Presidentja jonë. Ajo mban peshën e mirësisë për botën tonë ballkanike, por edhe pafuqinë e saj për të treguar se çfarë janë popujt tanë. Ajo mund të thotë edhe një të vërtetë për ne të gjithë. Te popujt që ende ndahen me kujtesa për luftërat vërtet mund të ndryshosh shumë gjëra, por vetëm nëse u flet me gjuhën që ata e kuptojnë dhe vepron me mjete që ata i njohin.

A nuk jemi të tillë në Ballkan, Melania?

 

 

======================================================

Platforma KoSSev ka nisur rubrikën e re “Bisedë pa shkas”, me përkrahje nga Ambasada Amerikane, në kuadër të faqes së re “Dialogu”.

Në “Bisedë pa shkas” kolumne javore gjatë muajve të ardhshëm do të publikojnë Liljana Smajlovic, kryeredaktorja e deritashme e gazetës Politika nga Beogradi, dhe Baton Haxhiu, drejtor i Klan Kosovës.

Këto kolumne do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës.

Kjo është kolumnja e tretë nga Baton Haxhiu, kurse versioni i saj në gjuhën serbe mund të lexohet KETU.

Kolumnja 2 nga Liljana Smajlovic: “Kur serbët ngazëllohen e shqiptarët vajtojnë”, në shqip dhe serbisht.

Kolumnja 2 nga Baton Haxhiu: “Katarsis”, në shqip dhe serbisht

Kolumnja 1 nga Liljana Smajlovic: “Kur them ‘Politika’, mendoj Serbia”, në shqip dhe serbisht

Kolumnja 1 nga Baton Haxhiu: “Ndryshimi i komunikimit për ridefinim konstruktiv të realitetit”, në shqip dhe serbisht

Lajme të tjera