13:45, 14 Mars 2017 Autor: Shkëlzen Maliqi

 

Portali KoSSev nis një rubrikë të re në kuadër të faqes Dialog, e cila përbëhet edhe nga rubrikat “Nga ana tjetër e barrikadës” dhe “Bisedë pa shkas”.

Në rubrikën “Në lidhje të drejtpërdrejtë”, kolumnet e tyre javore në muajt në vijim do t’i publikojnë analisti nga Prishtina, Shkëlzen Maliqi, dhe analisti i politikës së jashtme, gazetari nga Beogradi, Boshko Jakshiq (Boško Jakšić). Kolumnet e tyre do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës.

Versioni në serbisht i kësaj kolumne mund të lexohet KETU.

Kolumna 1 nga Boshko Jakshiq: “Pse e kaluara nuk mund të bëhet histori” në shqip dhe serbisht

Kolumna 1 nga Shkëlzen Maliqi: “Çrregullimi i Ri Botëror”, në shqip  dhe serbisht.

Këtë rubrikë e ka mbështetur KFOS-i. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura paraqesin mendimet dhe qëndrimet e autorëve dhe nuk përfaqësojnë doemos qëndrimet e donatorit.

 

= = = = =

 

Atë që njerëzit e ndërgjegjshëm dhe të mençur mund të bëjnë sot për vendet tona dhe për regjionin, i cili tashmë për dekadën e tretë radhazi është i zhytur në konflikt, në rërën e gjallë të tranzicioneve, “punëve të pakryera” dhe luftërave që nacionalistët shumë shpesh na i rikujtojnë me kërcënime – është që ta tërheqin vërejtjen dhe t’i këshillojnë pushtetmbajtësit dhe publikun që ekzistojnë daljet e thjeshta dhe kthjelluese nga rrethi vicioz i krizës.

Vetëm duhet shikuar në fytyrë realitetin dhe ai të ballafaqohet me trimëri, siç ka bërë Boshko Jakshiq para dhjetë vjetësh, me shkrimin: “Mozaiku Ballkanik”, në të cilin kishte konstatuar: “Do të ishte më mirë të mendojmë që nesër, pasnesër, të jemi të parët të cilët do të pranojnë Kosovën. Kështu do të kontribuonim në demokratizimin e saj dhe më së miri do t’i ndihmonim serbët që jetojnë atje. E pastaj sa më shpejt në BE”.

Nëse Boshko Jakshiq sot do ta riformulonte këshillën e tij, pasi pavarësinë e Kosovës tashmë e kanë njohur 114 vende, dhe të thoshte se për Serbinë do të ishte më mirë “që të mos jetë e fundit që do të pranojë pavarësinë e Kosovës”, këshilla e tij ende do të kishte fuqinë e madhe të realizmit kthjellues, madje tashmë edhe me dëshmi të reja e të shumta që ai ka pasur të drejtë, edhe pse në Serbi ende do të kishte të atillë që do ta konsideronin “tradhtar të kombit”.

Argumentit të tij do t’i shtoja që pranimi i Kosovës do të kontribuonte në demokratizim jo vetëm të Kosovës, por edhe të vetë Serbisë dhe të regjionit. Sepse nga viti 1999 deri në vitin 2010, Kosova definitivisht u bë barrë, ose “gur rreth qafës” së Serbisë.

Pas bombardimeve të NATO-s, Serbia përgjithmonë e ka humbur kontrollin mbi Kosovën, që nënkupton se nuk mund ta kthejë në posedim me rrugë paqësore. Megjithatë, në Beograd ende insistohet që Rezoluta 1244 e OKB-së garanton sovranitetin mbi Kosovën, ndërsa thirret edhe në Kushtetutën e Serbisë, e cila përjetëson “tapinë” kosovare, që praktikisht është zhvlerësuar me aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Pretendimet serbe mbi Kosovën i ruan vetëm mbështetja e Rusisë, si anëtare e përhershme me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, edhe pse kjo mbështetje është vetëm bllokuese, jo edhe perspektive, në kuptimin e inicimit të ndonjë restituimi ligjor të sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën.

Gjithashtu, restituimi në rendin ekzistues botëror, ashtu siç është, nuk mund të arrihet as me përdorimin e forcës, respektivisht me luftë, sepse te fuqitë e mëdha në Këshillin e Sigurimit raporti është i pafavorshëm për Serbinë. Më fjalë të tjera, Kosovën e kanë pranuar tri fuqitë më të mëdha perëndimore me të drejtë vetoje (SHBA-të, Britania e Madhe dhe Franca), ndërsa Kina është më favorizuese ndaj Serbisë edhe pse praktikisht është abstenuese. Edhe në Bashkimin Evropian, të cilit ndërkohë i është dorëzuar përgjegjësia mbi zgjidhjen e çështjes së Kosovës me dialog, proporcioni i fuqive është i pafavorshëm për Serbinë: 23 shtete anëtare e kanë njohur Kosovën, ndërsa 5 jo.

Duke mos u kthyer në histori pse ka ardhur deri te situata që kemi, këto janë fakte kokëforta të cilat duhet pasur parasysh kur flitet për Kosovën. Kokëfortësia e elitave politike të Ballkanit, të cilat nuk duan ta shikojnë realitetin në fytyrë dhe t’i pranojnë interesat reale afatgjata të secilit komb në veçanti, si dhe të regjionit si tërësi, me të vërtetë po kushton çdo herë e më shumë. Ka vonesa në çdo gjë: demokratizim, zhvillim ekonomik, integrim në BE, reforma të shërbimeve kryesore publike…

Nacionalizmat dhe interesat egoiste të elitave politike dhe ekomomike mbështeten në mënyrë reciproke duke krijuar alibi për probleme të cilat kinse dëshirojnë t’i zgjidhin, ndërsa në të vërtetë i çimentojnë. Të marrim si shembull çështjen e mbrojtjes së pakicës serbe në Kosovë.

Me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, e cila në mënyrë parimore i ka trasuar shtyllat kryesore të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si zgjidhje kompromisi është paraparë krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe – një trup që do t’i përfaqësonte dhe mbronte interesat kolektive të pakicës serbe. Kjo nënkuptonte shpërbërjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, kështu që pakica serbe të integrohej plotësisht në sistemin e Kosovës, e pastaj në këtë sistem të kishte të drejtën të krijonte një trup të përfaqësimit të përbashkët të interesave të asaj pakice – me Asociacionin e Komunave. Në vend se të konkretizohej Asociacioni i këtillë në mënyrë parimore, Prishtina dhe Beogradi kanë filluar të grinden rreth statusit të Asociacionit, nëse ai do të ketë pushtet ekzekutiv ose do të bëhet vetëm trup koordinues pa funksione ekzekutive.

Para se formula të sprovohej, ajo u bë instrument për ndasi në nivel më të lartë. Kjo u vërejt më qartë në shembullin e urës, e cila bashkon/ndan Mitrovicën, në të cilën fillimisht u vendos barrikada që pastaj u shndërrua në “Parkun e paqes”, ndërsa më vonë mbi të u ngrit muri; të gjitha këto për ta parandaluar qarkullimin normal rrugor dhe për shënimin simbolik të kufirit që ndan qytetin dhe dy popujt.

Nga ana tjetër, marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, që është pranuar nga Qeveria e Kosovës, e ka mobilizuar opozitën në Kosovë që t’i kundërvihet fuqimisht dhe tashmë për një vit e gjysmë ta bllokojë punën e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar ndërprerjen e dialogut me Serbinë. Opozita konsideron se Asociacioni do t’i japë serbëve të Kosovës një instrument të fuqishëm me efekt të Kalit të Trojës, respektivisht që me këtë Serbisë do t’i mundësohej përzierja dhe kontrolli i drejtpërdrejtë mbi Kosovën, gjë që praktikisht do ta suspendonte pavarësinë e saj.

Ka edhe shumë momente të tjera absurde që e kushtëzojnë normalizimin, lëvizjen e ngadaltë të atij, vendnumërimin, e madje ndoshta edhe kthimin prapa. Kuvendi i Kosovës para disa ditësh e ka suspenduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve duke kërkuar lirimin e Ramush Haradinajt, të cilin Franca e ka ndalur deri në zgjidhjen e çështjes së fletë-arrestit të Interpolit sipas kërkesës së Serbisë.

Pasi të lirohet Ramush Haradinaj do të gjejnë diçka tjetër për ta shtyrë dialogun dhe zgjidhjet: zgjedhjet në Serbi, me siguri edhe zgjedhjet në Kosovë, zgjedhjet në Francë dhe Holandë, etj., etj. Ndërsa në Mitrovicë muri do të mbetet vetëm mur, edhe pse i shkurtuar padyshim, por prapëseprapë i mjaftueshëm për ta penguar qarkullimin rrugor.

Pra, ende nuk ka asgjë nga deklarata e sinqertë e Jakshiqit: “E pastaj sa më shpejt në BE!”.

A duhet përsëri të ndodhë ndonjë thyerje e madhe që të gjithë akterët të kuptojnë se dialogu dhe BE-ja nuk kanë alternativë?

 

 

(Nga gjuha serbe tekstin e përktheu Bruno Neziraj)

 

 

 

Lajme të tjera