Zv/kryeministri i RMV: Po punojmë që ish-ushtari i UÇK-së Blerim Ramadani të kthehet shpejt në shtëpi NULL NULL 02.08.2024 14:44 02.08.2024 14:44 Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti. Foto | Izet Mexhiti / FB Gjatë ditës së djeshme u njoftua se ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani, i arrestuar në Shkup me urdhër-arrest nga Serbia, është liruar nga paraburgimi. Megjithatë, ai ende nuk do të mund të vijë në shtëpi, meqë vendimi i Gjykatës e obligon atë të qëndrojë brenda territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut deri në një vendim të ri. Për rastin e Ramadanit, sot foli edhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili tha se po punohet në kthimin e tij në shtëpi. “Gjatë ditës së djeshme u lirua nga paraburgimi ish ushtari i UÇK-së. Ne po punojmë intensivisht që shumë shpejt ai të kthehet në shtëpi”, tha Mexhiti në një postim në Facebook. Ai akuzoi BDI-në se po prodhon “kriza artificiale” në mënyrë “që të minimizohet fakti se ish-ushtari i UÇK-së u lirua nga paraburgimi si rezultat i punës tonë në institucione”. “Kriza artificiale” që iu referua zëvendëskryeministri Mexhiti ka të bëjë me incidentin me presidenten Vjosa Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. /Klankosova.tv