Zona e Debatit: LDK me lider të ri, apo vazhdimësi e Isa Mustafës? (VIDEO) - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Zona e Debatit: LDK me lider të ri, apo vazhdimësi e Isa Mustafës? (VIDEO)

NULL NULL
28/05/2015
Në emisionin Zona e Debatit, për zgjedhjet brenda LDK-së debatuan Bajrush Morina, Behlul Beqaj, Nexhmedin Spahiu dhe Ilir Ibrahimi.

Në emisionin Zona e Debatit, në Klan Kosova, mysafirët e Baton Haxhiut debatuan për zgjedhjet brenda LDK-së, fituesit e mundshëm dhe platformat konkurruese.

Ish-kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Bajrush Morina, i sheh këto zgjedhje si ridëshmim të demokracisë brenda partisë, kurse Isa Mustafën lider të rizgjedhur.

“Shembulli i garës me më shumë se një kandidat po ndodh vetëm brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, por jo edhe tek partitë tjera”.

“Isa Mustafa dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk arritën t’i fitojnë zgjedhjet, por edhe Isa Mustafa, edhe Lidhja Demokratike, arritën njërën nga premtimet nga fushata zgjedhore – drejtimin e qeverisë”.

“Ky fakt, ky pozicion politik, e imponon Isa Mustafën që të jetë kryeministër i fortë, i zgjedhur nga delegatët”.

“Edhe stabiliteti i LDK-së, por edhe stabiliteti i vendit, lidhet me kryetarin e tashëm të LDK-së”.

Morina po ashtu mendon se kandidaturat tjera nuk janë serioze,që  rrjedhimisht kanë pak gjasa për sukses.

“Kemi një inat politik të Fatmir Sejdiut, si dhe një alternativë të paqartë të Vjosa Osmanit”.

“Ndërsa Lutfi Haziri në momentin e fundit do t’ia deponojë votat Isa Mustafës, sepse është bashkëpunëtor i tij”.

Analisti Nexhmedin Spahiu rikonfirmimin e Isa Mustafës në krye të Lidhjes Demokratike e konsideron fund të kësaj partie. Ai thumboi edhe anëtarët e kësaj partie që thirren në filozofinë rugoviane.

“Nëse votohet Isa Mustafa, LDK shkon sigurt drejt shkatërrimit”.

“Këtë e di elektorati, e duhet ta dinë edhe ata 355 delegatë që do të votojnë të dielën”.

“Nëse do të ishte gjallë Ibrahim Rugova, kandidatët e LDK-së nuk do të mund të thoshin: ‘Unë ndjek rrugën e Rugovës’, sepse Rugova do të ishte aty”.

Analisti Behlul Beqaj strukturat drejtuese të LDK-së i quan – hipokrite.

Ndërsa, përparësinë në garën për të parin e partisë e sheh në anën e Mustafës, për të njëjtën arsye.

“Ne kemi të bëjmë me një parti – posaçërisht lidershipi i saj – që afër vetes ka një rreth hipokritësh, konformistësh e vazalësh”.

“Unë jam dakord që përparësia është në anën e Mustafës dhe ai ka shumë përparësi, sepse i përdor resurset e pushtetit dhe ndikimi i tij është shumë më i fortë se i kandidatëve të tjerë”.

“Vjosa Osmani shumë vështirë mund të vijë në pozitën e liderit , por nëse vjen në krye, ajo mund ta këndellë LDK-në”.

Edhe analisti Ilir Ibrahimi mendon se Isa Mustafa nuk do ta ketë të vështirë të rizgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai e quajti moralin politik në Kosovë të paqenë, ndërsa ngjitjen e Mustafës në krye të Qeverisë – lëvizje mjeshtërore.

“Isa Mustafa nuk do të ketë ndonjë sfidë nga kandidatët për ta marrë udhëheqjen e LDK-së , për faktin se e kemi një LDK që është në pushtet”.

“Do të ishte shumë e panatyrshme që në mes të një qeverisjeje të kemi një kandidat tjetër që e merr udhëheqjen e partisë”.

“Nuk është e natyrshme që dikush tjetër ta ketë udhëheqjen e LDK-së, e dikush tjetër Qeverinë”.

“Unë nuk besoj që etika dhe morali e mbizotëron politikën – aq më pak në Kosovë”.

“Po të ishte kështu, Isa Mustafa do të duhej të dorëhiqej me 9 qershor”.

“Nëse këtë radhë pushteti është arritur në koalicion me PDK-në, atëherë Isa Mustafa – hiq këtu etikën dhe moralin – në mënyrë mjeshtërore ka arritur për herë të parë t’ia sigurojë kësaj partie kryeministrin, edhe pasi nuk i ka fituar zgjedhjet”.

klankosova.tv