Ylli shkëlqen në Suharekë, e “çmonton” Prizrenin NULL NULL 26.02.2025 21:09 26.02.2025 21:09 Kundërshtarit që në fillim të ndeshjes i treguan se kush do të “kollitet” në këtë ballafaqim. Basketbollistët e Golden Eagle Yllit, pa kapitenin e tyre Gëzim Morina të lënduar, shkëlqyen sonte në palestren “13 Qershori” në Suharekë, duke e mundur thellë Proton Cable Prizrenin, me rezultat 91-69. Në asnjë çerek të vetëm, mysafirët nuk u treguan më të mirë në parket, njofton Klankosova.tv. 25-17 u mbyll fraksioni i parë, kurse edhe më të “frikshëm” suharekasit u shfaqën në të dytin, duke e dominuar plotësisht, për të shkuar në pushim me 18 pikë diferencë, 54-36. “Xhebrailat” e përfunduan 10 minutëshin e tretë me rezultat 21-18, derisa të katërtin 18-17. Jan Palokaj ishte më i miri në parket, duke arritur ‘double-double’ me 23 pikë, 10 kërcime e katër asistime. 23 pikë i realizoi edhe Jordan Johnson te mysafirët, duke shtuar edhe pesë asistime, raporton Klankosova.tv. Pavarësisht këtij triumfi, Ylli mbetet në pozitën e gjashtë pas 21 xhirove, me 30 pikë të grumbulluara, nga 9 fitore e 12 humbje. Në vikend, dy herë kampionët e Kosovës luajnë sërish para tifozëve të tyre, si nikoqirë të Borës, kurse Prizreni udhëton te Prishtina.