Zbulohen dizajnet e propozuara të bankënotave të reja EURO NULL NULL 23.07.2026 19:04 23.07.2026 19:04 Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka prezantuar të enjten propozimet e përzgjedhura për dizajnin e serisë së re të kartëmonedhave euro dhe ka nisur një anketë publike, duke ftuar qytetarët në mbarë Evropën të japin mendimin e tyre. Këto propozime bazohen në dy tema të ndryshme – “Kultura Evropiane” dhe “Lumenjtë dhe shpendët” – si dhe në motivet përkatëse të zgjedhura për t’i ilustruar ato. “Kartëmonedhat euro janë më shumë se një mjet pagese – ato janë një nga shprehjet më të prekshme të Evropës. Përmes dizajneve që ndërthurin bukurinë dhe domethënien, ato do ta forcojnë identitetin tonë të përbashkët”, tha presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, raporton Klankosova.tv. Propozimet e përzgjedhura janë rezultat i një konkursi të dizajnit në nivel të Bashkimit Evropian. Mbi 1.200 aplikime u pranuan nga dizajnerë grafikë, ndërsa 25 prej tyre u ftuan të krijonin propozime për njërën ose të dy temat. Më pas, një juri e pavarur prej 21 ekspertësh nga fusha të ndryshme, si dizajni grafik, komunikimi, neuroshkenca dhe historia, të emëruar nga bankat qendrore të vendeve të eurozonës, përzgjodhi dhjetë propozimet finale. Tashmë, të gjithë qytetarët në Evropë janë të ftuar të japin mendimin e tyre, pasi Këshilli Drejtues i BQE-së ka vendosur të organizojë një anketë online për këto dhjetë propozime. Anketa do të mbetet e hapur deri më 21 shtator 2026. Paralelisht, një kompani e pavarur kërkimore do të zhvillojë një anketë të veçantë me të njëjtat pyetje tek një mostër përfaqësuese e qytetarëve të eurozonës. Dizajnet e përzgjedhura në listën e ngushtë i gjeni KËTU BQE do të publikojë një raport me rezultatet e të dyja anketave pasi të jetë përzgjedhur koncepti përfundimtar i dizajnit. Sipas institucionit, mendimi i publikut është një element kyç i qasjes gjithëpërfshirëse të Eurosistemit, duke siguruar që të merren parasysh pikëpamjet e qytetarëve në të gjithë Evropën. Këshilli Drejtues pritet të marrë vendimin përfundimtar për dizajnin e ri të kartëmonedhave rreth fundit të këtij viti, ndërsa pritet të hyjnë në qarkullim në vitet në vijim. Ky do të jetë ridizajnimi i parë i plotë i kartëmonedhave euro që nga emetimi i tyre në vitin 2002. BQE thekson se emetimi periodik i serive të reja të kartëmonedhave mundëson shfrytëzimin e përparimeve teknologjike për të qëndruar një hap përpara falsifikimit. Kartëmonedhat e reja do të përfshijnë elemente të reja dhe të përmirësuara të sigurisë, duke e bërë më të lehtë verifikimin e tyre dhe duke rritur qasshmërinë, përfshirë për personat me dëmtime në shikim. Po ashtu, BQE synon të zvogëlojë gjurmën mjedisore të kartëmonedhave duke rritur qëndrueshmërinë e tyre dhe duke përdorur materiale e procese prodhimi më të qëndrueshme. /Klankosova.tv