Vuçiqi “kapet” me Presidenten e KS të OKB-së për kohën e fjalës NULL NULL 22.04.2024 23:31 22.04.2024 23:31 Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, në KS të OKB-së ku u diskutua për raportin e Sekretarit të OKB-së mbi punën e UNMIK-ut Tensionet u ngritën në seancën e Këshillit të Sigurimit ku u prezantua raporti mbi punën e UNMIK-ut dhe ku pati shkëmbime të nxehta. Në një moment tensionues gjatë seancës së KS të OKB-së, presidentja aktuale e Këshillit Vanessa Frazier nga Malta, qortoi ashpër Alleksandar Vuçiqin e Serbisë pas një mosmarrëveshjeje për kohën e fjalimit, raporton Klankosova.tv. Ndërsa seanca e kishte kaluar kohën e paraparë, presidentja e Këshillit deklaroi se është arritur konsensus për caktimin e tre minutave kohë për fjalim për presidenten Vjosa Osmani dhe homologun e saj serb, Vuçiq. Megjithatë, Vuçiqi e kundërshtoi pohimin, duke thënë: “Kjo nuk u ra dakord, por kjo nuk ka rëndësi”. Frazier e kundërshtoi menjëherë dhe iu referuar konfirmimit të marrëveshjes nga ana e zëvendëses së saj, duke thënë: “Zëvendësja ime sapo më tha se ishte dakord me ty. Unë nuk do të pranoj që ajo të quhet gënjeshtare”. Ajo më pas i përsëriti Vuçiqit se ai mund të fliste për tre minuta dhe Vuçiqi mori fjalën duke e falënderuar. Në këtë seancë, presidentja Osmani ishte e shoqëruar nga katër gra, të mbijetuara nga lufta në Kosovë: Elhame Muqolli, Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyhrete Tahiri-Sylejmani dhe Fahrije Hoti. Ajo tregoi rrëfimet e të katrave para të pranishmëve, ndërsa në fund kërkoi nga Vuçiqi që t’u kërkojë falje atyre. /Klankosova.tv