Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Vuçiq: Do t’i dërgojmë KFOR-it kërkesë për dërgimin e forcave në Kosovë

NULL NULL
10.12.2022 21:12

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët në veri të Kosovës kanë reaguar ndaj arrestimit të Dejan Pantiqit, ish-policit serb të Kosovës, i dyshuar për veprën penale “sulm terrorist”.

Sipas Vuçiqit, ky reagim i qytetarëve të atjeshëm ka ndodhur sepse e kanë kuptuar se mund të presin vetëm ditën kur dikush do të vijë për ta, kur do të paraqitet ndonjë dëshmitar, sipas tij, i supozuar dhe ata të përfundojnë prapa grilave.

“Sot në Kosovë është arrestuar Dejan Pantiq. Ai është arrestuar nga forcat e Policisë së Kosovës. Ai është baba i tre fëmijëve. Deri vonë mbante uniformën e Policisë së Kosovës dhe disa do të thoshin ‘aktivitet i pabesueshëm i policëve shqiptarë’. Ai u akuzua për terrorizëm nga i ashtuquajturi ministër i Brendshëm Sveçla dhe të tjerët”, shpjegoi ai.

Vuçiqi tha se ka biseduar edhe me bashkëshorten e Pantiqit, e me partnerët ndërkombëtarë të Serbisë, të cilëve thotë se ua ka vënë në dukje “pamaturinë e atyre që e kanë kryer aksionin”, duke iu referuar policisë së Kosovës.

“Kam biseduar me bashkëshorten e të arrestuarit Dejan Pantiq, me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe ua kam vënë në dukje pamaturinë absolute të atyre që e kanë kryer atë aksion. Ai është ende në bazën e ndërtuar ilegalisht të policisë së Kosovës afër Leposaviqit”, tha Vuçiqi në këtë paraqitje publike.

Vuçiqi ndër të tjera tha se Kosova së shpejti do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke shtuar se u ka dërguar letra përfaqësuesve të pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Prishtina do të aplikojë për anëtarësim në BE. U dërgova nga një letër presidentëve dhe kryeministrave të pesë vendeve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Secila letër është e ndryshme, janë vetëm disa fjali që janë të njëjta. I falënderova të gjithë për mbështetjen ndaj Serbisë në ruajtjen e integritetit të saj territorial”, shtoi Vuçiq.

Ndër të tjera, presidenti serb tha se do t’i dërgojë kërkesë KFOR-it për dërgimin e forcave serbe në Kosovë. Megjithatë, ai tha se kjo kërkesë sipas të gjitha gjasave nuk do të pranohet.

“Kemi rënë dakord për një tekst në të cilin, në përputhje me Rezolutën 1244, do t’i dërgojmë kërkesë komandantit të KFOR-it për të siguruar dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë në territorin e Kosovës. Vendimi i qeverisë do të bëhet të hënën ose të martën”, tha ai, teksa shtoi: “Por e di që do të refuzohet (…) nuk kemi iluzione të tilla që ta pranojnë, do të gjejnë arsye të panumërta pse do të na thonë se nuk është e nevojshme, edhe pse nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë”.

“Kosova duhet ta formojë Asociacionin”

I pyetur nga N1 nëse, pasi versioni përfundimtar i propozimit franko-gjerman iu përcoll Beogradit dhe Prishtinës, ndonjë formë tjetër e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është e pranueshme për Serbinë në krahasim me atë nga Marrëveshja e Brukselit, Vuçiqi tha se “nuk bëhet fjalë” që AKS-ja të negociohet, sepse është pjesë e marrëveshjes së vjetër që duhet respektuar.

Sipas tij, Asociacioni nuk mund të jetë pjesë e ndonjë marrëveshjeje të re, sepse është një obligim që Kosova tashmë e ka pranuar në marrëveshjen e Brukselit.

Vuçiqi vuri në dukje deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që AKS-në e cilësoi si një “kërkesë fëmijërore” nga Beogradi në dialog.

“Ndoshta jam budalla, ndoshta jam i dehur, i çmendur apo budalla, por vetëm një gjë është e sigurt, ju dhe BE-ja nënshkruat marrëveshjen e Brukselit dhe ju duhet ta përmbushni atë”, tha ai.

Ai shtoi megjithatë se nuk pret që Kosova të ekspozohet ndaj presionit për shkak të refuzimit të saj të vazhdueshëm për të formuar Asociacionin, por që Beogradi të jetë në objektiv.

“Ne do të ekspozohemi ndaj një presioni të tillë – nëse duhet t’i njohim apo t’i lejojmë ata të hyjnë në OKB. Dua të them vetëm se nuk jam aq budalla sa më bëjnë disa njerëz. Nuk do ta pranoj, nuk më shkon mendja, do të duhet ta përmbushin atë që kanë shkruar”, tha ai.

Vuçiqi shprehu frikën se nëse nuk e pranon atë propozim, do të pasojnë presionet më të mëdha, të cilat, sipas tij, mund të priten që më 17 dhjetor, kur në Beograd do të mbërrijnë përfaqësuesit e Gjermanisë, Francës, Brukselit dhe SHBA-së, “të cilët do të vijnë të më shpjegojë se si duhet të sillem”. /Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.