Vjosa Osmani zotohet për mbështetje ndaj grave: E ardhmja do të shkruhet pikërisht nga gratë e saj NULL NULL 06.06.2026 19:06 06.06.2026 19:06 Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka vlerësuar rolin e grave në zhvillimin e Kosovës, duke thënë se as fushata zgjedhore dhe as vetë shteti i Kosovës nuk do të ekzistonin pa kontributin e tyre. Në një adresim para mbështetësve, Osmani u ndal te roli i nënave, gjysheve dhe grave nga fusha të ndryshme të jetës shoqërore, duke theksuar se ato kanë qenë shtyllë e familjes dhe e shtetit në periudha të ndryshme. “Dua të ju flas nënave, të cilat çdo mëngjes zgjohen para të gjithëve, dhe bien të flenë pas të gjithëve. Gjysheve, që i mbajtën familjet në këmbë në vitet më të vështira, dhe sot me ndihmën e tyre në rritjen e nipave dhe mbesave, po ndihmojnë edhe ekonominë”, tha ajo. Osmani përmendi gratë e rezistencës paqësore, pjesëtaret e UÇK-së, aktivistet, si dhe gratë që veprojnë në bujqësi, biznes, arsim, shëndetësi, media, art, shkencë, teknologji, politikë, diplomaci, mbrojtje dhe siguri. Sipas saj, pa kontributin e grave dhe vajzave, Kosova nuk do të ishte ajo që është sot. Duke folur për sfidat me të cilat përballen gratë, kandidatja e LDK-së tha se vendi nuk mund të ecë me ritmin që meriton nëse ato vazhdojnë të hasin pengesa të pamerituara. Ajo theksoi se angazhimi i saj është për barazi në mundësi, duke përmendur nevojën që vajzat dhe gratë, pavarësisht vendbanimit, të kenë qasje të barabartë në arsimim, punësim dhe zhvillim profesional. Osmani tha se do të angazhohet për politika që nxisin punësimin e grave dhe lehtësojnë qasjen e tyre në mundësi të ndryshme, ndërsa shtoi se e ardhmja e Kosovës duhet të ndërtohet mbi dije dhe zhvillim. “Ne duam një Kosovë ku vajzat tona udhëheqin laboratorë kërkimorë, kompani teknologjike, universitete, institucione publike dhe organizata ndërkombëtare. Sepse ekonomia e së ardhmes nuk ndërtohet vetëm me asfalt e beton, mbi të gjitha, ndërtohet me dije”, deklaroi ajo. Po ashtu, Osmani premtoi mbështetje më të madhe për nënat, fëmijët dhe shërbimet cilësore për fëmijët, në mënyrë që, sipas saj, asnjë grua të mos detyrohet të heqë dorë nga puna për shkak të mungesës së mbështetjes. “E ardhmja do të shkruhet pikërisht nga gratë e saj”, përfundoi Osmani.