Vendgrumbullimi i plehrave në Porto Romano, ndotësi më i madh i Durrësit - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Vendgrumbullimi i plehrave në Porto Romano, ndotësi më i madh i Durrësit

NULL NULL
13/11/2015

Vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në Porto Romano të Durrësit vazhdon të jetë një nga ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në qytetin bregdetar.

Nga djegia në natyrë e mbetjeve emetohen lëndë toksike mjaft të dëmshme për shëndetin e banorëve dhe ekosistemin, ndërsa institucionet mbeten vetëm në konstatimin e fakteve. Ndotja në Durrës është disa herë më e lartë sesa shifrat e lejuara.

Përgjegjësi i këtij vendgrumbullimi, Gezim Reçeku thotë se zjarri vihet nga individët që e sigurojnë jetesën e tyre nga grumbullimi dhe shitja e hekurishteve.

“Djegin dhe goma, dhe kabllo, për përftimet e tyre personale duke provokuar dhe ndezjen e zjarreve. Sidomos gjatë shkarkimeve që bëhen natën, deri nga ora 08.00-09.00 paradite”, thotë Reçeku.

Ndërmarrja e Pastrimit pranë bashkisë Durrës bën të ditur se ulja e volumit të mbetjeve bëhet me shtytje dhe ngjeshje dhe jo me djegje. Lidhur me situatën janë njoftuar të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, duke nisur nga Mjedisi e deri tek Policia, po situata mbetet e njëjtë. Djegja e mbeturinave dhe gomave për të përfituar skprap metalik vazhdon dhe bashkë me të dhe retë toksike të emetuara nga djegja mbi qytet.

“Kemi ndërhyrë me zjarrfikëset dhe botet tona për ta shuar herë pas here këtë vatër zjarri që krijohet nga këta njerëz që kanë jetën e tyre të mbështetur në këtë”, thotë Syri Gjergji, kryeinxhinier i ndërmarrjes së pastrim gjelbërsimit në Bashkinë e Durrësit.

Vendi ku depozitohen mbeturinat e bashkisë së re të Durrësit është i parrethuar. Plehrat janë të ekspozuara në natyrë dhe jashtë çdo standardi për përpunimin dhe menaxhimin e tyre. E vetmja zgjidhje konsiderohet ndërtimi i landfillit të Manzës, një projekt që ende nuk ka hyrë në fazën e zbatimit.

Deri atëherë qyteti që ka shtuar ndjeshëm prodhimin e mbetjeve urbane për shkak të rritjes së popullsisë do të vijojë të bashkëjetojë me këtë vatër masive ndotjeje./Top Channel/