Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

LIVE| Shqipëria shpall dy ditë zie kombëtare në nderim të Ismail Kadaresë

NULL NULL
01.07.2024 09:00
Ismail Kadare
Ismail Kadare

22:30 – Instituti Albanologjik i Prishtinës nesër mban mbledhje komemorative në nderim të Kadaresë

Instituti Albanologjik i Prishtinës nesër në ora 10:00 do të mbajë mbledhje komemorative në nderim të shkrimtarit, Ismail Kadare.

Kështu ka bërë të ditur Dega e Letërsisë – Instituti Albanologjik i Prishtinës në Facebook, duke e quajtur Kadarenë, shkrimtar ikonik që i dha shenjë të përbotshme kulturës dhe artit të shkrimit të bukur shqip.

“Të dashur miq dhe dashamirës të veprës letrare të Ismail Kadaresë, shkrimtarit pasaportë të letërsisë shqipe, i cili na la në mëngjesin e ditës së sotme”.

“Instituti Albanologjik i Prishtinës gjatë ditës së nesërme, 2 korrik, ora 10:00, do të mbajë një mbledhje komemorative në nderim të krijimtarisë artistike të gjeneralit të letërsisë shqipe, shkrimtarit ikonik që i dha shenjë të përbotshme kulturës dhe artit të shkrimit të bukur shqip”, thuhet tutje në njofti


20:45 – Shqipëria shpall dy ditë zie kombëtare në nderim të Ismail Kadaresë

Qeveria e Shqipërisë ka shpallur të martën dhe të mërkurën ditë zie kombëtare, në nderim të shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, i cili vdiq sot në moshën 88-vjeçare.

Flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë në nderim të veprës dhe kontributit të shkrimtarit shqiptar me famë ndërkombëtare, Ismail Kadare, shkruan Abcnews.al, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, është bërë e ditur se homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të mbahen në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë, të mërkurën në oraret 09:00-11:00 dhe 11:30-12:30.


14:22 – Bogujevci: Kadare sot mbylli sytë e drita e penës së tij kaloi në përjetësi

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ka shkruar për vdekjen e mjeshtrit të letërsisë, Ismail Kadarenë.

Ajo thotë se sot i mbylli sot Kadareja, ndërsa drita e penës së tij kaloi në përjetësi, shkruan përcjell Klankosova.tv.

“Mjeshtri i madh i letërsisë sot u largua nga kjo botë duke na lënë pas thesarin e çmuar të shkruar në shqip dhe përkthyer në dhjetëra gjuhë.  Kushdo nga ne që e mbërriti në të gjallë, do t’i thotë fëmijëve që do të lindin se jetuam në kohën e Kadaresë”, shkroi Bogujevci në Facebook.


13:35 – Kur Kadareja mposhti Marquezin dhe Rothin për Man Booker International Prize

Ismail Kadare nuk arriti ta fitojë Nobelin për Letërsi pavarësisht një flirti të gjatë sa vetë jeta që akademia pati me emrin e tij.

Mirëpo, gjeniu i letrave mori çmime të tjera ndërkombëtare të letërsisë të një rëndësie të madhe si Çmimi i Princit të Asturias, Prix Mondial Cino Del Luca, Jerusalem Prize, Çmimin Park Kyong-ni, dhe së fundmi Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsi.

Mirëpo, më i veçanti ndoshta mbetet Çmimi Ndërkombëtar Man Booker të cilin e fitoi në inaugurimin e tij, më 2005.

Këtë triumf natyrisht e bën më të fuqishëm kur bën mend se kë e kishte pasur konkurrencë.


13:25 – The New York Times për Kadarenë: Ia tregoi botës hallin e shqiptarëve

Kadareja kishte fituar ndonëse në garë për këtë çmim kishin qenë dy gjigantët e letërsisë botërore, amerikani Philip Roth, dhe kolumbiani Gabriel Garcia Marquez, fitues i Nobelit për Letërsi.

Gazeta prestigjioze amerikane, The New York Times, ka njoftuar njashtu lexuesit e saj që shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, ka vdekur.

Madje, në zemër të titullit, ky medium shkruan që Kadareja ia tregoi botës hallin e shqiptarëve.

“Ai qe krahasuar me Oruellin dhe Kafkën,  dhe eci mbi litar me vepra me kritika të maskuara shtetin e tij totalitar”, thuhet në artikull.

“Ismail Kadare, romancieri dhe poeti shqiptar i cili i vetëm vuri vendlindjen e tij ballkanase në hartën e letërsisë botërore, duke krijuar vepra shpesh të errëta, alegorike që tërthorazi kritikonin shtetin totalitar të vendit të tij, vdiq në Tiranë, Shqipëri, të hënën”.


13:21 – Akademia e Shkencave Shqiptare: Kadare ka qenë dhe do të mbetet emblemë e jona

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka shprehur ngushëllime për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se Ismail Kadare është dhe do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij.

“Me pikëllim të thellë në zemër njoftojmë ikjen pa kthim të prijësit historik të letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash; anëtarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtarit të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës; anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi”.

” Fituesit të çmimeve letrare më të rëndësishme në Europë e në Botë (“International Booker Man Prize”, “Prince of Asturias Aëard”, “Jerusalem Prize”, “Neustadt International Prize”, “Nonino”, “Park Kyong-ni”); personalitetit që u nderua mirënjohjet më prestigjioze në Shqipëri e jashtë vendit, në të gjitha kontinentet; shkrimtarit Ismail Kadare, mikut tonë të pazëvendësueshëm, akademikut që e mbushi me kuptim dhe e lartësoi këtë titull të lartë, me veprën e të cilit u rritën e u formuan dhjetëra breza në Shqipëri e kudo që flitet gjuha shqipe”.

“Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë Kadare ka qenë dhe do të mbetet emblemë e saj, krahas vendit që ai ka zënë me plot meritë në shumë akademi dhe universitete brenda e jashtë vendit, ku është nderuar me titullin akademik “doctor honoris causa”. Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e veta në këtë çast të rëndë familjes së shkrimtarit Ismail Kadare, Helenës dhe dy vajzave, Gresës e Besianës; lexuesve e studiuesve të panumërt të veprës së tij, bashkësisë akademike e botës universitare, përkthyesve e shqipëruesve kudo në Botë, miqve, admiruesve dhe simpatizantëve të veprës së tij. Emri dhe vepra e Ismail Kadaresë do të jenë përjetësisht të pranishme në jetën e shqiptarëve dhe të gjithë botës”, thuhet në reagim.

13:11 – Nagavci: Vepra e Kadaresë, pasuri letrare që i takon mbarë kombit shqiptar dhe më gjerë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është shprehur e pikëlluar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të mirënjohur mbarëkombëtar, Ismail Kadare.

Ministrja për veprën e Kadaresë thotë se janë një pasuri letrare që i takon mbarë kombit shqiptar dhe më gjerë, njofton Klankosova.tv.

“Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për vdekjen e kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit të mirënjohur mbarëkombëtar, Ismail Kadare. Krijimtaria letrare e Ismail Kadaresë, e shprehur përmes një talenti të jashtëzakonshëm dhe të veçantë, është pasuri letrare që i takon mbarë kombit shqiptar dhe më gjerë.  Vepra e Kadaresë është bërë pjesë e pandashme e adhuruesve të veprave të mirëfillta të artit, është lexuar, është shkruar dhe është folur për të, është studiuar e do të vazhdojë të mbetet e tillë edhe në të ardhmen”, ka shkruar Nagavci në Facebook.


12:19 – Krasniqi: Kadareja ishte mishërimi i krenarisë shqiptare, fanar dhe kampion i identitetit tonë kombëtar

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka shprehur ngushëllimet e tij me rastin e vdekjes së shkrimtarit, Ismail Kadaresë.

Krasniqi shprehet se ‘gjenerali i letrave shqipe’ vdiq vetëm fizikisht, pasi veprat e tij do të jetojnë përjetë, shkruan Klankosova.tv.

“Ismail Kadare, me një stil krejt të veçantë dhe origjinal, ishte një gjigant i letrave shqipe. Një personalitet dhe një zë i cili përgjatë jetës së tij i bëri jehonë thellësive të historisë, kulturës dhe vetë shpirtit tonë njerëzor. Shkronjat dhe fjalët e tij thurën mozaikun e ndërlikuar të shqiptarëve, duke sjellë në jetë betejat tona, triumfet tona dhe shpirtin tonë të palëkundur”, shkruan kryetari i PDK-së në Facebook.

“Ismail Kadare ishte më shumë se një shkrimtar; ai ishte mishërimi i krenarisë shqiptare, fanar i identitetit tonë kombëtar dhe kampion i trashëgimisë sonë letrare dhe kulturore. Prehu në paqe i dashur Ismail Kadare. Fjalët tuaja do të tingëllojnë përgjithmonë në zemrat tona dhe trashëgimia juaj do të vazhdojë të frymëzojë brezat që do të vijnë.  Faleminderit që na dhatë dhuratën e tregimit tuaj të jashtëzakonshëm. Do të na mungosh thellësisht, por nuk do të harrojmë kurrë”.


12:13 – Berisha: Kadare mbylli sytë përgjithmonë për të mbetur përjetë i pavdekshëm në olimpin e veprave të tij

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i ka shprehur ngushëllime familjes pas vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.

Me anë të një postimi në Facebook, Berisha tha se sot mbylli syt përgjithmonë Kadareja, për të mbetur përjetë i pavdekshëm në olimpin e veprave të tij.

“Dielli perëndoi përgjithmonë për gjeniun botëror të letrave, Ismail Kadare. Të dashur miq, sot mort, zi dhe dhimbje për mbarë kombin shqiptar. Ismail Kadare, gjeniu botëror i letrave shqipe, dhe njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, mbylli sytë përgjithmonë për të mbetur për jetë i pavdekshëm në olimpin e veprave të tij. Laureat i çmimeve me prestigjoze të letrave si Man Booker, Prince des Asturies, Jerusalem Prize, veprat e Ismail Kadares u përkthyen në rreth 45 gjuhë të botës. Në kohërat më të errëta të regjimit hoxhist kur me një varg apo poezi mund të hapje varrin tënd, me gjithë konformizmin që kishte si alternativen me te mire burgun dhe internimin, Ismail Kadare arriti të dalë nga shtrati i Prokrustit me vepra si “Pallati i Ëndrrave” etj për të cilat regjimi e censuroi për vite të tëra. Në vitin ‘90 Ismail Kadare ishte një avokat i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe hapjes së Shqipërisë. Ai pas largimit nga Shqipëria, nga mërgimi në Paris mbështeti Lëvizjen Studentore dhe Revolucionin Demokratik që përmbysi diktaturën komuniste në Shqipëri. Duke u përulur me nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë para kujtimit dhe veprës të ndritur të Ismail Kadares, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar miqve, të afërmëve dhe lutem së bashku me ta që shiprti i madh i tij të prehet në paqen e merituar. Amin”, ka shkruar Berisha, raporton Klankosova.tv.


11:29 – Haradinaj për vdekjen e Kadaresë: Njeriu që lartësoi kombin dhe e futi në analet e letërsisë së përbotshme

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar për vdekjen e emblemës së letërsisë, Ismail Kadaresë.

Haradinaj thotë se Kadare ishte shqiptare më i famshëm në glob, shkruan Klankosova.tv.

Po ashtu thotë se Kadare ishte njeriu që e lartësoi kombin, që e lartësoi Shqipërinë, që lartësoi Kosovën dhe që letërsinë e një kombi të vogël e futi në analet e letërsisë së përbotshme.

“Ne sot e kemi humbur gjeneralin e letrave shqipe, e kemi humbur ambasadorin e krijimtarisë shqiptare në Botë, e kemi humbur Ismail Kadarenë, emri i të cilit i ngërthen në vete krejt vlerat më të larta që mund t’i ketë njeriu! Ky emër do t’i jetojë epokat! Lamtumirë Mjeshtër!”, shkruan Haradinaj në Facebook.


11:13 – Kryeministri Rama s’gjen fjalë pas vdekjes së Kadaresë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbetur pa fjalë pas lajmit për vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.

“Asnjë fjalë nuk më vjen në këtë moment”, tha Rama, duke kujtuar më pas një mesazh të publikuar për ditëlindjen e tij, njofton Klankosova.tv.


11:12 – Abdixhiku: Kadare do mbetet ikonë e letërsisë e zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë

Me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh shqiptar, kolosit Ismail Kadare, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka shkruar një telegram ngushëllimi.

Ai në këtë telegram ngushëllimi, shkruan se bota shqiptare u zgjua në zi nga ky lajm i trishtë, shkruan Klankosova.tv.

Tutje, Abdixhiku shprehet se Kadare ka paraqitur tablon e errët nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria komuniste, vuajtjet, sakrificat, por edhe vlerat e mirëfillta shqiptare.

“Sot bota shqiptare u zgjua në zi. U nda nga jeta Ismail Kadare, shkrimtari i përmasave ndërkombëtare, ai i cili për shumë dekada i dha letërsisë shqipe dhe asaj botërore kryevepra, që do mbesin gjithmonë referenca për kulturën dhe letërsinë, si vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacional. Kolosi Ismail Kadare, përmes veprave të tij, i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

“Kadare do të mbetet ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm, një intelektual i shquar, një patriot i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë. Nga sot Shqipëria dhe bota e letërsisë humbën një personalitet të madh, i cili u shua vetëm fizikisht por vepra e tij është e përjetshme; siç dhe emri e kontributi i tij në kulturën dhe letërsinë botërore do të mbetet i përjetshëm”.


11:08 – Vdekja e Kadaresë, Hoxha: Në robëri dhe në demokraci me shkrimet tuaja lindi ideja e lirisë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxha ka shkruar për vdekjen e novelistit të madh shqiptar, Ismail Kadaresë.

Hoxha thotë se ka qenë një mrekulli që të ndiqet mendimi intelektual i Kadaresë, shkruan Klankosova.tv.

“Në robëri dhe në demokraci, kur ishim popull i shtypur dhe kur u bëmë shtet i pavarur, me shkrimet dhe mendimet tuaja u lind ideja e lirisë dhe u ndriçua rruga drejt perëndimit”, shkruan tutje Hoxha në Facebook.


11:00 – Kurti pas vdekjes së Kadaresë: Anija e romaneve të tij do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se anija e romaneve të Ismail Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptar.

Pas lajmit për vdekjen e shkrimtarit të madh, shefi i qeverisë së Kosovës tutje tha se arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij.

Kurti poashtu ngushëlloi të gjithë për humbjen e tij, njofton Klankosovba.tv.

“Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë. Ngushëllime të gjithëve”, ka shkruar Kryeministri i Kosovës.


10:57 – Mediat botërore shkruajnë për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare

Mediat botërore po shkruajnë për vdekjen e njërit ndër shkrimtarët më të mëdhenj të kombit shqiptar, Ismail Kadarenë.

Ndër mediat që veçohen janë Associated Press, The Guardian, RFI, Le Monde, AFP e shumë të tjera, përcjell Klankosova.tv.

Ato e përshkruajnë Kadarenë si një gjigand të letërsisë shqiptare, novelist me famë botërore si dhe thonë se me vdekjen e tij vdiq edhe një qytetërim.


10:55 – Erion Veliaj i trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është shprehur shumë i trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadaresë.

Përmes një postimi në Facebook ku ka ndarë edhe një fotografi krah tashmë të ndjerit, Veliaj tha se Kadareja la pas një trashëgimi të pashlyeshme të letrave, kulturës dhe historisë sonë.

“Shumë i trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare – një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe botërore. Kadareja la pas një trashëgimi të pashlyeshme të letrave, kulturës dhe historisë sonë, e do të vijojë të rrezatojë po aq fuqishëm në mendjen e lexuesve të letërsisë së tij brilante.  Ngushëllime të sinqerta Helenës dhe familjes për këtë humbje të madhe. Pusho në paqe, i dashur Ismail”, ka shkruar më tutje Veliaj, njofton Klankosova.tv.


10:50 – Vdekja e Kadaresë, reagon edhe Meta

Ish-presidenti shqiptar, Ilir Meta, ka thënë se Ismail Kadare ishte për shqiptarët një dritë shprese në një nga periudhat më të errëta të vendit.

Ai ka ngushëlluar familjen pas humbjes së poetit të madh shqiptar, dhe tha se kombi shqiptar humbi sot gjeniun e madh të letrave dhe shprehësin e jashtëzakonshëm të fuqisë së mendimit.

“Kombi shqiptar humbi sot gjeniun e madh të letrave dhe shprehësin më të jashtëzakonshëm të fuqisë së mendimit, kulturës, vlerave dhe forcës tonë krijuese, që si askush tjetër u dha atyre përmasa botërore, duke na bërë krenarë të gjithëve. Ismail Kadare ishte për shqiptarët një dritë shprese në një nga periudhat më të errëta të vendit, zëri universal kundër totalitarizmit, një simbol i ndritur i vokacionit tonë europian, që me kryeveprat letrare të lëna trashëgim do t’i jemi mirënjohës përjetë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së dashur Kadare, komunitetit të shkrimtarëve e publicistëve dhe mbarë kombit shqiptar për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme”, ka shkruar Meta, njofton Klankosova.tv.

Kadare vdiq në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në urgjencën e Tiranës.


10:42 – Konjufca: Kadare do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit evropian të shqiptarëve

Kryeparamentari Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadaresë.

Ai thotë se letërsia shqiptare humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar, përcjell Klankosova.tv.

Ndër të tjera, Konjufca shprehet se Kadare do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit evropian të shqiptarëve.

“Vepra e Ismail Kadaresë, përveç vlerave letrare e artistike të nivelit botëror, për ç’gjë u përkthye, u lexua e u nderua anë e kënd botës, ajo do të mbetet enciklopedia më e plotë e shpirtit, etnosit dhe identitetit shqiptar. Kadare ishte jo veç krijuesi i veprave monumentale në letërsinë tonë, por edhe qëmtuesi dhe kultivuesi më pasionant i gjuhës shqipe. Ismail Kadare sot na la fizikisht, por ai do të jetojë në mendjen dhe shpirtin e lexuesve të tij përgjithmonë. Vepra e tij do mbetet e pavdekshme”, shkruan kreu i Parlamentit në Facebook.


10:42 – Vdekja e Kadaresë, Osmani: Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.

Përmes disa fotografive të postuara në rrjetet e saj sociale, e para e vendit tha se sot populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, është zi, pasi ka humbur kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar.

Osmani ndër të tjera u shpreh e nderuar që ia dorëzoi shtetësinë e Kosovës ditë më parë, sikurse edhe urdhrin “Hasan Prishtina”, njofton Klankosova.tv.


10:14 – Hoti: Personalitete krijuese si Ismail Kadareja nuk vdesin kurrë

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, për vdekjen e Ismail Kadaresë, ka thënë se personalitete krijuese si ai nuk vdesin kurrë.

Ndër të tjera, Hoti shton se shqiptarët dhe kultura shqiptare në botë njihen më mirë falë kontributit të tij, përcjell Klankosova.tv.

“Vepra e tij është pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe botërore. Ai do të rrojë përgjithmonë me ne dhe brezat që vijnë. Shqiptarët i kanë dhënë botës një shkrimtar të madh. Ai ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në promovimin botëror të kulturës shqiptare, të traditës, të konceptit të besës, të vuajtjeve të popullit shqiptar nën regjimin komunist, të cilat i ka përshkruar në mënyrë unike.  U prehtë në paqe ky gjeni i letërsisë dhe kulturës shqiptare”, shkruan Hoti në Facebook.


09:55 – Begaj për Kadarenë: Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj për vdekjen e njërit ndër shkrimtarët më të arritur shqiptar, Ismail Kadare ka thënë se Shqipëria ka humbur gjeniun e tyre të letrave.

Jo vetëm Shqipëria e shqiptarët, por Begaj thotë se Kadarenë e humbën Ballkani, Evropa dhe bota, përcjell Klankosova.tv.

“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”, shkruan Begaj në Facebook.


09:55 – Nikolla: Me veprën që krijoi, Kadare u ngjit në Olimpin e letrave shqipe

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka reaguar pas vdekjes së shkrimtarit të madh, Ismail Kadare.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Nikolla u shpreh se Kadare me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror.

“Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohrave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe. Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror”, shkroi ajo, njofton Klankosova.tv.


09:51- Çitaku: Lamtumirë dhe faleminderit, Ismail Kadare!

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka shkruar për vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.

Në një shkrim të shkurtër në Facebook, Çitaku ka bashkëngjitur dhe një poezi të Kadaresë, ‘Gjeneral Moisi”.

Ndër të tjera ajo shkruan “lamtumirë dhe faleminderit, Ismail Kadare!”, përcjell Klankosova.tv.

Poezia:

Moisi ndërgjegjes

vallë si i re?

Ajo ngrihet, bie

mbytur gjak përdhe.

Nata është e shkretë

troku natën mbush

veç ndërgjegjes sate

prapa s’të ndjek kush.

Në kalldrëme shekujsh

troku yt i zi

Moisi i Golemëve

Gjeneral Moj-Zi.


09:47 – Kadare, shkrimtari që vuri gjithmbarshmërinë shqiptare në raftet e bibliotekave të botës

Korriku i shqiptarëve u thye sot me ikjen nga jeta të shkrimtarit më të shpërblyer shqiptar në skenën botërore, Ismail Kadare.

Me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i listuar si ndër më të mirët e shekullit të shkuar, letërsisë shqipe iu hap përgjithmonë porta që çonte në Pallatin e Kritikës Letrare Perëndimore.

Veprat e tjera si “Prilli i thyer”, “Pallati i ëndrrave”, “Kështjella”, “Dosja H”, “Ura me tri harqe” dëshmuan kapacitetin shqiptar jo vetëm për të prodhuar tregim, por edhe për ta rrëfyer atë në shijen e stërholluar perëndimore.

Të qenët pakursyeshëm politik, por tejet i matur në mbështjelljen figurative të kritikës dhe vrojtimit të tij, e bën leximin e veprës së Kadaresë në Shqipërinë e lirë, një sfidë të pëlqyeshme të gjetjes së konteksteve dhe në të kuptuarit përtej dhe përfund asaj që ka shkruar.

Pedant në stil, fin në formë, Kadare në romanet e tij shpesh shkruante mjeshtërisht thjesht, dhe vetëm kush ka provuar të shkruajë vetë mund ta kuptojë se ç’zotësi duhet pasur të shkruash thjesht, por pasur.

Nënshkrimin e tij e gjejmë, ndër tjerash, në neologjizmat e tij, por hartën e gjithmbarshmërisë shqiptare, me të mirat e të këqijat e saj, me bukuritë e shëmtitë e saj, e gjejmë te opusi i Kadaresë porsi enciklopedi.

Kadareja vdiq sot, por do të ringjallet sa herë dikush nga secili cep bote të tërheqë një libër të tijin nga rafti ku rrinë emrat më të mëdhenj të letërsisë.


09-42 – Majko për vdekjen e Kadaresë: Pishtari i artit të tij, ndriçoi rrugën e kombit shqiptar drejt Perëndimit

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka shkruar për vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadaresë.

Majko thotë se Kadareja nuk ishte një shqiptarë i zakonshëm, por një historian dhe filozof të dorës së parë për popullin e tij dhe shqiptarinë, përcjell Klankosova.tv.

Ndër të tjera, ish-kreu i ekzekutivit të Shqipërisë, thotë se pishtari i artit të Kadaresë, ndriçoi rrugën e kombit shqiptar drejt Perëndimit.

“Ismail Kadare ka ndërruar jetë!  Për shumë arsye humbja e Kadaresë dhe mungesa e tij do të jetë përtej njerëzores! Lamtumirë mësues!”, shkruan Majko në Facebook.


09-38 – Vdekja e Kadaresë, Jahjaga: I përjetshëm kujtimi për ju mjeshtër i madh

Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare vdiq sot në orët e hershme të mëngjesit në moshën 88-vjeçare.

Pas lajmit për vdekjen e tij, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka postuar një fotografi me të ndjerin në llogarinë e saj në Facebook.

“Një shpirt i madh na paska lënë sot! Një kandil i çmuar i letërsisë mbarë shqiptare nga sot po vazhdon të ndriçojë dhe në botën e amshueshme. Përjetësisht mirënjohës për të gjitha vlerat që i dhatë letërsisë sonë. I përjetshëm kujtimi për ju mjeshtër i madh! Ismail Kadare, 1936-2024”, shkroi Jahjaga, njofton Klankosova.tv.

Sipas mediave në Shqipëri, Ismail Kadare vdiq në urgjencën e Tiranës.


Ka ndërruar jetë shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare.

Sipas mediave në Shqipëri, Kadare ka vdekur në orët e para të mëngjesit të sotëm në moshën 88-vjecarë në urgjencën e Tiranës.

Kandidati për Nobel në Letërsi, njihet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, ai shquhej kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.

Ismail Kadare nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin «Princesa de Asturias» për Artet më 2009 dhe Çmimin «Jeruzalem» më 2015. Viteve të fundit ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik, shkruan A2Cnn, transmeton Klankosova.tv.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.