Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

‘Varg i heshtur si bombë’

NULL NULL
24.06.2022 15:20

Xhevdet Bajraj vdiq të martën në moshën 62-vjeçare.

Bajraj ishte poeti i fundit i famshëm kosovar në një periudhë ku jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë, poezia – për të mos thënë letërsia – është bërë një aktivitet disi i përjashtuar dhe përjashtues për publikun e gjerë; një aktivitet i ngushtë dhe për një grusht njerëzish. Tash edhe kur një poezi merr hov viral, hovin e merr vetëm poezia. Jo edhe poeti.

Mirëpo Bajraj e gëzoi famën si asnjë poet tjetër kosovar në këto vitet e fundit duke grumbulluar një numër të madh lexuesish edhe nga gjeneratat e reja, madje edhe nga ata që kishin lindur pas luftës e cila i kishte lënë shenjë të pashlyeshme.

Të jesh i famshëm si poet në përmasat e tij në ditët e sotme është e rrallë sa hëna e kaltër. Theksi këtu vihet te fama sepse një gjë ka rëndësi shumë – kur të tillë njerëz si Bajraj bëhen të mirënjohur – kur fama shndrit mbi të tillë krijues që kanë se çfarë të thonë dhe të ofrojnë; kur fjala e tyre ecën; kur në thatësinë dhe shterpësinë e klisheve të popit të kudondodhur, dhe në varfërinë e pjesës më të madhe të repit komercial, vargjet e Bajrajt vendosen si oaza për të mbajtur gjallë shpresën se një ditë, arti sublim do të arrijë të shtrihet gjerë në kulturën globale.

Arti rigjenerohet. Arti rigjeneron veten. Por të rrallë si Bajraj, edhe në krizën më të madhe të pozitës së artit në përditshmëri, arrijnë që së paku vetë t’i pushtojnë territoret më të mëdha njerëzore –nga kritikët plot ojna, e deri te lexuesit më i thjeshtë.

Xhevdet Bajraj

 

Halil Matoshi e vë Bajrajn në majën e hierarkisë poetike të Kosovës, duke i përmendur mënyrat se si penëmprehti nga Rahoveci e nxori poezinë e tij nga konvencat mbytëse të kohës, duke dalë sipër me një ndjeshmëri të re e të përçuar domosdo fuqishëm nga stili i tij kompakt, por goditës.

“Xhevdet Bajraj përket në traditën kosovare të poezisë, porse ndër mâ të arritshmet”, thotë Matoshi për Klankosova.tv.

“Pra ai asht i rënditun naltë në hierarkinë vlerore, nashta mâ s’nalti, të brezit të mesëm (poetët e brezit të ‘80ave të shekullit 20. Bajraj me sukses i âsht shmang patosit didaktik – patriotik, tue nxjerr poezinë nga danat e hermetizmit fillimisht e masanej edhe nga deklarativizmj patetik e kthye në shtrati e vet të parë, tue i dhânë asaj figurshmëninë e gjallë, dhe kuptimin alegorik”.

Matoshi e konsideron Bajrajn poet që ka sjellë një sensibilitet të ri në Kosovë dhe në rrjedhat e humanizmit postmodern.

“Xhevdet Bajraj asht poet i sensibilitetit të ri në Kosovë, fillimisht në rrjedhat e poezisë së revoltës dhe masanej në ato të humanizmit postmodern. Poet i figurës së gjallë të vendlindjës dhe njerëzve të saj”.

“Bajraj e ka gdhend poezinë nga tepria përshkruese dhe ia ka heqë mitit shqiptar të Heroit, epistemën e glorifikimit historik. Ai estetizon dhunën tue qenë Mjeshtër i nji vargu të qetë e suptil. Vargu i tij âsht i heshtun si nji bombë!?”

Halil Matoshi dhe Xhevdet Bajraj

 

Zyrafete Shala, organizatore e Panairit të Librit në Ferizaj, e kishte pasur të ftuar Bajrajn dy herë në kuadër të këtij organizimi.

Për të, lajmi i vdekjes së poetit ishte tejet i trishtë, duke e lënë letërsinë shqipe të varfër me ikjen e tij, por gjithsesi përherë të pasur me trashëgiminë e lënë pas.

“Ikja e poetit Xhevdet Bajraj në botën tjetër e varfëroi letërsinë tonë dhe njëkohësisht na la një peng. Xhevdeti jo vetëm që ishte poeti shqiptar me zërin më të artikuluar poetik, por edhe nga poetët e rrallë që arriti t’i përjetësojë dhimbjet, vuajtjet dhe preokupimet e popullit shqiptar në letërsinë e përbotshme”, ka thënë Shala.

“Rrugëtimi i tij jetësor e solli përpara një sfide të jashtëzakonshme, të dëshmojë talentin e tij në një konkurrencë të vështirë, të krijojë në gjuhën e Markesit, Pazit, Maçados, Borgesit e kolosëve të tjerë të letërsisë. Mirëpo, Xhevdeti doli triumfues nga kjo sfidë dhe poezia e tij jo vetëm që u përqafua pa hezitim nga lexuesit meksikanë, por edhe iu ofrua mundësia që mjeshtërinë e tij në krijimin e fjalës së bukur ta ndajë me studentët e krijimtarisë letrare”.

Ka pikëllim në rreshtat e Shalës kur thotë që Bajrajt, pavarësisht veprës së tij të dëshmuar letrare, nuk iu gjet një vend në planprogramet shkollore të letërsisë shqipe.

“Fakti që Xhevdet Bajraj u vlerësua shumë në qarqet e një letërsie me vlera të dëshmuara gjatë shekujve, na bën që të kemi peng për vendin që i ofruam ne në letërsinë tonë të brishtë. Në planprogramet shkollore të letërsisë shqipe, përfshirë edhe të gjitha nivelet e studimeve universitare nuk zë vend asnjë poezi e Xhevdet Bajrajt, edhe pse ai kishte aq shumë vëllime të botuara në shqip që nga viti 1989 e këndej”.

Për Shalën, Bajraj barti përgjegjësinë e lartë për fjalën e shkruar, një trashëgim që tash mbetet te ne për ta ruajtur.

“Përveç poezisë me vlera të pakrahasueshme estetike, Xhevdeti na la trashëgim edhe virtytet e larta njerëzore, marrëdhëniet e sinqerta poet-lexues dhe mbi të gjitha përgjegjësinë e lartë për fjalën e shkruar.

“Xhevdeti ishte poeti i vetëm shqiptar që reflektonte si i tillë në çdo çast, ai ishte poet edhe kur shkruante poezi, edhe kur jepte intervista, edhe kur ishte në mesin e miqve, edhe kur buzëqeshte. Urtësia dhe qetësia që rrezatonte qenia e tij, do të mbeten të paarritshme nga të tjerët”.

Zyrafete Shala dhe Xhevdet Bajraj

lajme të ngjashme