“Vajza në tren” NULL NULL 02.10.2015 12:38 02.10.2015 12:38 Kur “Vajza e zhdukur” u botua para disa vitesh, me subjektin intoksikues të martesës së shkuar keq, të gjithë e kuptuan që përveç suksesit ndërkombëtar, shtroi udhën për një lloj të ri trilleri psikologjik. “Vajza në tren” është cilësuar si libri i 2015-s. I botuar në fillim të vitit, gjatë gjithë këtyre muajve ishte libri për të cilin flisnin të gjithë. Në krye të listës së bestsellerëve për 18 javë me radhë, “Vajza në tren” i vjen në shqip lexuesit tonë nga shtëpia botuese “Morava”. Paula Hawkins, një gazetare e kthyer në romanciere, ka sjellë një libër hit. Rrëfimi ndahet mjeshtërisht mes tri grave, jetët e të cilave ndërthuren tragjikisht: Rejçëll, Megan dhe Ana. Në fillim takojmë Rejçëllin, e cila hipën çdo ditë në të njëjtin tren. Një punëtore e lodhur, si shumë të tjera, përveç faktit që në çantën e saj gjen gjithmonë xhin me tonik. Gjatë udhëtimit me tren, Rejcëll e heq gjithmonë vështrimin kur arrin pranë shtëpisë numër 23: shtëpia e saj e vjetër, ku tashmë ish-burri i saj jeton me gruan e re, Anën. Ndërkohë, Rejcëll është fiksuar pas shtëpisë numër 15 ose më mirë pas çiftit që jeton në të: Xhes dhe Xhejzon, siç i quan ajo. Në sytë e saj, jeta e tyre duket e përsosur. Krejt ndryshe nga jeta e vet. Pastaj sheh diçka tronditëse dhe kur lexon në gazetë se “Xhesi”, që në fakt quhet Megan, është zhdukur, Rejçëll vendos të flasë me policinë. Ajo është e bindur se “Xhejzoni”- i dyshuari kryesor për zhdukjen e së shoqes dhe që në të vërtetë quhet Skot, nuk do ta lëndonte kurrë gruan e tij. Por Rejçëlli e alkoolizuar nuk mund të jetë një burim i besueshëm… Në këtë libër, autorja Hawkins me mjeshtëri manovron personazhet dhe perspektivat e secilit. “Kthesat e menjëhershme” ndonjëherë nuk i bëjnë nder tregimit psikologjik, por me“Vajza në tren” Hawkins ka sjellë një krijim solid dhe një histori që të mbërthen, transmeton botimeshqip.com