Uji “ilaç” për verbërinë? A po ndodh mrekullia tek pacientët? (VIDEO) NULL NULL 29.06.2026 21:07 29.06.2026 21:07 Derisa mijëra qytetarë përballen me probleme serioze të shikimit dhe kërkojnë trajtim te mjekët specialistë, dikush po pretendon se ka gjetur një “zgjidhje mrekullibërëse” që, sipas tij, vjen nga një shpellë në Francë. Një faqe në Facebook me emrin “Ujë Shërues për Sy nga Shpella” reklamon një lëng që shitet në shishe të vogla, duke pretenduar se ndihmon në përmirësimin e shikimit, largimin e “pëlhurës në sy”, madje edhe te personat me verbëri të pjesshme. Produkti ofrohet me çmim 30 euro për dy shishe, ndërsa reklamat premtojnë rezultate të garantuara dhe mungesë të efekteve anësore. Por pas këtyre pretendimeve nuk paraqitet asnjë dëshmi shkencore, dokument zyrtar apo certifikim për përbërjen dhe sigurinë e produktit. Për të kuptuar se çfarë fshihet pas kësaj oferte, KIKS Kosova kontaktoi administratorin e faqes dhe e ndoqi të gjithë procesin, nga porosia deri te pranimi i produktit. Gjatë bisedës, shitësi garanton vazhdimisht se produkti ka efekt dhe kërkon vetëm adresën dhe numrin e telefonit për ta dërguar porosinë. Kur pyetet për prova apo klientë realë, ai referohet vetëm te postimet dhe komentet e publikuara në faqen e tij. Por të dhënat tregojnë se videot promovuese janë të manipuluara, ndërsa një numër i madh komentesh që pretendojnë rezultate pozitive krijojnë dyshime se janë pjesë e një skeme për ta bërë produktin më të besueshëm. Pasi vendosëm ta porosisnim produktin, ai mbërriti përmes postës së shpejtë. Sipas postierit, vetëm deri në mesditë ishin shpërndarë rreth 15 pako të këtij produkti, një tregues se reklamat në rrjetet sociale po arrijnë te shumë qytetarë. Kronika të përgatitura nga Kiks Kosova: